OEK: Ndryshimet në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare ndesh me Kushtetutën

OEK: Ndryshimet në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare ndesh me Kushtetutën

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate në lidhje me ndryshimet në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare, të miratuara dje në Kuvend.

Komunikata e plotë e Odës Ekonomike të Kosovës:

Në kohën kur komuniteti i biznesit është në angazhim të vazhdueshëm, që përmes dialogut privat të avansojë agjendën e reformave ekonomike, në Parlamentin e Republikës të Kosovës, pa ndonjë argument të fuqishëm dhe pa asnjë konsultë me përfaqësuesit legjitim të komunitetit të biznesit, përkatësisht Odën Ekonomike të Kosovës, miratohen ndryshime në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare, ndryshime të cilat bien ndesh me Nenin 10 të Kushtetutës së Republikës të Kosovës. Ky nen përcakton qartë që ekonomia e tregut me konkurrencën e lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Përpjekjet që me ligje dhe rregullore të imponohen format dhe modelet e menaxhimit të kompanive të sektorit privat, janë ndërhyrje arbitrare në treg, në konkurrencën e lirë dhe në të drejtën e kompanive për të zgjedhur resurset me të cilat konkurrojnë në treg. Oda Ekonomike e Kosovës është përkrahëse e vazhdueshme e avancimit të rolit të femrës në vendimmarrje dhe për shumë vite ka shërben si model në këtë aspekt, me balancën gjinore në stafin profesional dhe me një numër të lartë të femrave në pozita udhëheqëse, përfshirë edhe nivelin me të lartë menaxherial dhe Këshillin Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjithashtu Oda Ekonomike e Kosovës, beson fuqishëm që edhe në sektorin privat, prezenca më e lartë e femrave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse do të ndikojë në rritjen e aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve (kjo bazohet edhe në shumë punime shkencore që e kanë trajtuar këtë aspekt), por kjo duhet të arrihet nën presionin konkurrues, që i shtyen kompanitë për ndryshim të modelit udhëheqës, e jo përmes rregullave të imponuara, të cilat tradicionalisht kanë dëshmuar që krijojnë kundërefekt.

Sot dhe dje kemi pranuar një numër të madh të ankesave nga bizneset anëtare, për mënyrën dhe përmbajtjen e ndryshimeve në Ligjin për Shoqëritë Tregtare, prandaj brenda afatit, së bashku me ekspertë të ndryshëm do të analizojmë mundësinë që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës të Kosovës, për shqyrtim të kushtetueshmërisë së këtij ligji, në mënyrë që të mbrojmë të drejtat themelore të sektorit privat dhe të ruhen parimet themelore të ekonomisë së lirë të tregut.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0