Nuk po zbatohet ligji për ndërmarrjen “Trepça”

Nuk po zbatohet ligji për ndërmarrjen “Trepça”

Ligji për ndërmarrjen “Trepça”, edhe dy vjet pas miratimit, nuk ka filluar të zbatohet, në mungesë të Statutit. Drejtues të “Trepçës” kërkojnë që sa më parë të miratohet Statuti dhe ligji të fillojë të zbatohet, me çka do t’i hapet rrugë regjistrimit dhe rimëkëmbjes së këtij gjiganti metalurgjik.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ndërkaq, nuk tregojnë se kur do të dërgohet në Kuvend për miratim Statuti i “Trepçës”.
Më 8 tetor 2016, me 79 vota për, asnjë kundër dhe 14 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës patën miratuar Ligjin për “Trepçën”, me çka kjo ndërmarrje u shpëtua nga likuidimi dhe synohej rimëkëmbja dhe zhvillimi i këtij gjiganti metalurgjik të Kosovës.
Por, që nga atëherë, gjendja në “Trepçë” nuk ka ndryshuar. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Miftar Hyseni, tha për Radio Kosovën se ligji deri tash nuk i ka sjellë asnjë të mirë “Trepçës”.

“Fatkeqësisht, efekte pozitive deri tash nuk ka pasur. Përkundrazi, kjo zvarritje që ka ndodhur deri tash ka sjellë shumë efekte negative në të gjitha sferat, në të gjithë fushëveprimin e “Trepçës”. Sot jemi në një situatë, në një vakum, ku nuk mund të veprojmë, pasi që nuk ka kush të marrë vendime të rëndësishme për “Trepçën”, tha ai.
Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të “Trepçës”, ligji nuk po zbatohet në mungesë të nxjerrjes së Statutit të Ndërmarrjes “Trepça sh.a”. Hyseni kërkon që ky dokument të miratohet sa më parë në Kuvend.

“Sa më shpejt që ndodh kjo, është më mirë. Sa më shumë që zvarritet është në dëm, sepse në këtë situatë që jemi “Trepça” nuk mund të zhvillohet më shumë”, theksoi Hyseni.

Ardian Syla, kryesues i Bordit Mbikëqyrës të Trepçës, tregon se statuti i kësaj ndërmarrjeje është punuar nga bordi, dhe i njëjti është dërguar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për procedim të mëtutjeshëm.

“Këtë vit, më 17 maj, është miratuar dhe propozuar statuti nga Bordi Mbikëqyrës. Ne e kemi dërguar për procedim të mëtutjeshëm në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, e që pritet të procedohet në Kuvend për miratim, gjë që ende nuk ka ndodhur”, tha ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0