Një serb i kthyer në Kosovë arrestohet për krime lufte, reagon Lista Srpska

Një serb i kthyer në Kosovë arrestohet për krime lufte, reagon Lista Srpska

Është arrestuar sot Zharko Zariqi nga komuna e Istogut për krime lufte dhe menjëherë është shoqëruar për në Prishtinë.

Zariq, sipas KosovoOnline në gjuhën serbe, ishte kthyer në Kosovë para tri vjetësh, ndërsa para se të kthehej ai kishte kaluar të gjitha verifikimet gjyqësore e të sigurisë. Para luftës në Kosovë dhe bombardimeve në Serbi e RF të Jugosllavisë nga NATO, Zariq kishte punuar si polic.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq arrestimin e Zariqit, “i kthyer në Lubozhdë të Istogut, e ka cilësuar shembull brutal të instrumentalizimit të gjyqësorit në Kosovë në fushatën e frikësimit sistematik të popullit serb në Krahinë”, siç e quan ai Republikën e Kosovës.

Ai, po ashjtu, ka kërkuar lirimin urgjent të Zharko Zariqit, ose të prezantojë dëshmi kredibile se ai dyshohet me bazë për vepër të rëndë penale, ndonëse, sipas tij, ai si i kthyer para tri vjetësh kishte kaluar të gjitha verifikimet e institucioneve, siç i quan ai – të përkohshme të Prishtinës.

Ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila e ka dënuar ashpër arrestimin e këtij të kthyeri, të arrestuar nga Polica e Kosovës në portën e kishës pas shërbimit të liturgjisë. Kjo Listë arrestimin e tij e ka cilësuar “ekskluzivisht të motivuar nga qëllime politike për të penguar kthimin e serbëve të përndjekur me forcë nga Kosova”, transmeton Koha.net.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: