Niveli i dioksidit të karbonit rritet për herë të parë pas katër vitesh

Niveli i dioksidit të karbonit rritet për herë të parë pas katër vitesh

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se përpjekjet për t’i luftuar ndryshimet klimatike nuk janë në rrugën e duhur, pasi është shënuar rritje e nivelit të dioksidit të karbonit, për herë të parë pas katër vitesh. Raporti për nivelin e këtij gazi e fajëson rritjen ekonomike, përderisa përpjekjet e shteteve veç e veç janë dobësuar në mënyrë të ndjeshme.

Në hulumtim thuhet se është e domosdoshme që kjo rritje të ndalet deri në vitin 2020, në mënyrë që të përmbushen objektivat e Marrëveshjes së Parisit. Sidoqoftë, nëse vazhdohet me këtë rritje, objektivat nuk pritet të arrihen deri në vitin 2030.

Lirimi i dioksidit të karbonit gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016 nga idustria dhe prodhimi i energjisë ka qenë nën kontroll, por niveli i tij u rrit për 1.2 për qind në vitin 2017 si pasojë e rritjes së ekonomisë. Ndonëse kjo përqindje mund të duket e vogël, ajo është shqetësuese, shikuar nga këndvështrimi i arritjes së objektivave klimatike, përfshirë parandalimin e rritjes së temperaturës më shumë se 1.5 gradë.

Raporti përmend vende që janë shumë larg arritjes së objektivave. Këtu përfshihen Argjentina, Australia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara. Në anën tjetër, raporti vlerëson se vendet më të suksesshme deri tash janë India, Rusia dhe Turqia. Sidoqoftë, ky rezultat mund të jetë si pasojë e përcaktimit të objektivave të ulëta nga shtetet e caktuara, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0