Nisma i dorëzon nënshkrimet e deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit

Nisma i dorëzon nënshkrimet e deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka njoftuar se i ka dorëzuar nënshkrimet e deputetëve për mbajtjen e seancës së caktuar për 22 gusht për shpërndarjen e legjislaturës së VI dhe votimin e marrëveshjes së IPA.

Sherifi përmes një postimi në Facebook ka shprehur bindjen se Nisma Socialdemokrate në legjislaturën e ardhshme do të përfaqësohet me më shumë se 10 deputetë.

“Në këtë seancë të fundit, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të votojnë marrëveshjen ndërkombëtare të IPA-s që i sjell shtetit rreth 90 milionë euro nga BE-ja si dhe për shpërndarjen e legjislaturës së VI. Shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, me bindje të plotë se në legjislaturën e VII, NISMA Socialdemokrate do të jetë e përfaqësuar me 10+deputetë”, ka shkruar Sherifi.

Nënshkrimet për shpërndarje të Kuvendit të enjten i ka dorëzuar edhe AAK-ja. Këtë e ka bërë të ditur, shefi i Grupit Parlamentarë të këtij subjekti, Ahmet Isufi.

“Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, deponova nënshkrimet e deputetëve për mbajtën e seancës së jashtëzakonshme me datë 22 gusht 2019, ku në rend dite do të jenë votimi i IPA 2018 dhe shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, duke shtuar se AAK-ja është gati për procesin e ri zgjedhor, të bindur për fitore.

Kujtojmë se nënshkrimet e deputetëve për mbajtjen e seancës së caktuar për 22 gusht për shpërndarje të Kuvendit i kanë dorëzuar edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD.

COMMENTS

WORDPRESS: 0