Nga burgu në Lipjan rrëfyen se si e festuan Vitin e Ri

Nga burgu në Lipjan rrëfyen se si e festuan Vitin e Ri

Larg familjes dhe më të dashurve të tyre, festat i pritën të mbyllur brenda katër mureve. Të privuar nga liria, festën e Vitit të Ri, e pritën prapa grilave mbi 80 gra, e të mitur në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Larg çdo argëtimi me shoqëri, të dënuarit për vepra ta ndryshme penale, u përkujdesën që natën e ndërrimit të motmoteve ta presin me festë e valle.

Që katër vjet E.D, po qëndron brenda katër mureve të Qendrës Korrektuese për të mitur në Lipjan. E edhe këtë festë 20-vjeçari po e pret larg familjes.

“Festa këtu nuk është e mirë, larg familjes s’ka më bazë të kushteve… Nuk janë festat e mira këtu… Është e vështirë me prit këtu një festë larg familjes, por mbasi nuk jemi afër familjes, ne mundohemi me festuar pak si shoqëri që jemi, mu argëtuar pak”, thotë ai.

Muzikë, vallëzim, ushqim, e telefonata me familjarët, kështu pritet Viti i Ri në Qendrën Korrektuese në Lipjan. E meqë është festë, për dallim nga ditët tjera, ata patën mundësi të qëndrojnë bashkë deri në orën 02:00, pas-mesnate. Kështu ata u munduan që një herë në vit të harrojnë çdo gjë dhe të argëtohen deri në mëngjes.

Edhe për të miturin tjetër, 17 vjeçar festa brenda katër mureve është e vështirë. Ai tregon për KosovaPress, se për herë të dytë po pret Vitin e Ri, në këtë burg.

“Është pak normal ma emocionuese se jemi larg familjeve, është njëfarë emocioni më i veçantë. Po mundohemi me kaluar kohë me shoqëri, me staf këtu. Po mundohemi me bo festën pak më argëtuese, për me kaluar më mirë”, deklaron ai.

Ata kanë edhe mesazh për bashkëmoshatarët e tyre.

“Me vazhdua jetën përpara, me nejt përkrah familjes edhe me i shikuar gjërat që ata mendojnë që janë pa rëndësi, ato janë që kanë rëndësi më së shumti me ia dit vlerën njerëzve që kanë, kushteve që kanë”, deklaron ai.

Në Qendrën Korrektuese për femra në Lipjan, po mbahen për vepra të ndryshme penale mbi 40 gra. Shumë nga to janë edhe në paraburgim. Një prej tyre rrëfen për KosovaPress, se sa e vështirë është të qëndrosh në ditë feste prapa grilave e larg familjes, e ajo ka një vit e disa muaj që po mbahet këtu.

“Sa i përket familjes, kuptohet që e kemi mërzinë, është vështirë pak me përjetuar. Por çfarë të bëjmë. Sa i përket dënimit unë ende nuk e di, nuk jam e dënuar, nëpër seanca”, rrëfen ajo.

Disa nga të dënuarit, janë në pushim. Derisa mbi 80 të mitur e gra të Qendrës Korrektuese në Lipjan, larg familjes urimet e para për festën e Vitit të Ri do të kenë mundësi t’i shkëmbejnë me të dënuarit e tjerë që i kanë në dhomë.

Ndryshe, në gjitha Qendrat Korrektuese në Kosovë, janë rreth 1800 të burgosur për vepra të ndryshme/KsP.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0