Mysafirë në kohë të pandemisë, 3 ferizajas dyshohet se u infektuan gjatë vizitës në Topanicë të Kamenicës

Mysafirë në kohë të pandemisë, 3 ferizajas dyshohet se u infektuan gjatë vizitës në Topanicë të Kamenicës

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka njoftuar se janë konfirmuar edhe nëntë raste të reja me COVID-19 në Ferizaj. Tetë prej këtyre rasteve janë raste kontakti, derisa për një rast nuk dihet burimi i infeksionit. Deri tani në këtë komunë janë të konfirmuara 66 raste, raporton Express.

Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Aliu i ka thënë Gazetës Express se tri prej nëntë rasteve të konfirmuara mbrëmë janë raste kontakti nga Topanica e Kamenicës, derisa pesë rastet tjera janë familjarë të një punëtori të “Bondsteel”-it, i cili ka rezultuar pozitiv ditë më parë.

Për rastin e fundit pozitiv nga kjo komunë, Aliu thotë se nuk dihet burimi i infeksionit.

“Mbrëmë janë konfirmuar edhe nëntë raste në Ferizaj. Tri prej rasteve janë raste kontakti nga Topanica e Kamenicës, pra kur janë shku për vizitë te familjarët në Kamenicë janë infektuar. Ndërkohë pesë rastet e tjera janë familjarë të një punëtori të “Bondsteel”-it, i cili ka dalë pozitiv ditë më parë, derisa për rastin tjetër nuk dihet burimi i infeksionit”, ka deklaruar Aliu.

Sipas Aliut, të gjithë të infektuarit janë të moshës së re dhe të mesme. E se a do të testohet sot ndonjë person nga kjo komunë, Aliu thotë se ende nuk kanë pranuar ndonjë njoftim nga IKSHP-ja.

“Të gjithë të infektuarit janë të moshës së re dhe të mesme, pra nuk ka të moshuar. Nuk dihet ende nëse do të testohet sot ndonjë person apo sa, meqenëse ende nuk kemi marrë njoftim nga IKSHP-ja, por lista është gati”, ka thënë Aliu për Express.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 36 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i të infektuarve në gjithë vendin ka arritur në 423.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga data 08 shkurt deri më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.720 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5.279 kontakte të rasteve.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0