Mustafa: Taksa po mbulon të gjitha dështimet e Qeverisë

Mustafa: Taksa po mbulon të gjitha dështimet e Qeverisë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria Haradinaj ka mbuluar dështimet me vënien e taksës ndaj mallrave serbe.

Duke komentuar presionin ndërkombëtar që taksa të hiqet, Mustafa ka thënë se Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë “për vendimet që prekin marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në e BE-në”.

“LDK është angazhuar dhe angazhohet për miqësi të përhershme me SHBA-të dhe partneritet me BE-në. E vetmja rrugë e Kosovës, për LDK-në, është rruga euro-atlantike. Në këtë frymë është sjellë LDK deri sa ka drejtuar Qeverinë por edhe në kohën kur presidentët e vendit ishin nga LDK. Tani përgjegjësinë për vendimet që prekin në këto marrëdhënie duhet ta merr Qeveria dhe koalicioni qeverisës. Është rregull që ata që marrin vendime, vulosin edhe fatin e vendimeve të tyre. Nuk ka nevojë të shfrytëzohet taksa për të bërë dallime të brendshme. Si Kryetar i LDK-së kam theksuar se është një masë e merituar ndaj Serbisë, por po ashtu se është një masë populliste, e pamatur mirë në momentin që është marre”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Në postim ai ka shtuar se taksa u vendos për të mbuluar dështimin me Interpol, por, sipas tij, edhe dështimet tjera.

“Dihet se taksa u vu një ditë pasi Qeveria dështoi të anëtarësoj Kosovën në Interpol. Dështimi iu vesh Serbisë me të drejtë, por për këtë dështim nuk u fajësua askush në Kosovë që nuk e bëri punën mirë. Që ta mund Serbinë. Taksa mbuloi çdo gjë, i mbuloi të gjitha dështimet dhe po vazhdon t’i mbuloj edhe më tutje”, ka shtuar ai.

Mustafa ka shtuar po ashtu se teksa Serbia po vazhdon me luftën për çnjohje të Kosovës, ndërkombëtarët s’po merren fare me të, por me taksën e Kosovës.

“LDK nuk e ka propozuar taksën, nuk ka ngarendë të merr merita dhe LDK nuk konsideron se i takon asaj të shprehet se çfarë duhet të bëjë Qeveria me taksën. Kryeministri i ka 35 këshilltarë e 80 zëvendësministra; sikurse edhe Kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri (që u ofruan të marrin merita) le të konsultohen me njerëzit e vet. Ata janë aty për të dhënë ndihmesën e tyre në punët e shtetit, jo që me para të shtetit ta sulmojnë opozitën. Serbia po vazhdon aktivitetin e ndyre për tërheqje të njohjeve, por me te nuk po merren ndërkombëtarët. Të gjithë po merren me taksën e Kosovës”.

Mutafa ka vazhduar duke shtuar se taksa po mbulon edhe “lobimet” duke thumbuar presidentin Hashim Thaçi se ka paguar me para të shtetit librin për të.

“Taksa është bërë kusht nga Serbia për vazhdimin e dialogut, pra një lloj laure. Ne nuk i kemi vënë laura Serbisë. Se çfarë duhet të bëjë apo të mos bëjë për të vazhduar dialogu. Në momentin që ngrihet laura e taksës, askush nuk e di se ku e qon dialogu Kosovën. Askush nuk ka marrë siguri se Serbia do ta njohë Kosovë, askush nuk ka marrë garanci se nuk do të cenohet shtetësia e Kosovës. E vetmja gjë që vërehet është se dikujt po i ngutet?! Dhe e vetmja gjë që dihet është se punët e shtetit nuk bëhen me nguti. Institucionet e Kosovës, çdonjëra për vete lobon në SHBA e vende tjera përmes firmave lobuese me kontrata të dyshimta të nënshkruara nga ministra e zëvendësministra, apo nga Presidenca, pa e ditur kush se për çfarë po lobojnë dhe si po shpenzohen këto para publike. Tani edhe këto po i mbulon taksa. Por, jo përgjithmonë”, ka përfunduar ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0