Mustafa pyet Bordin e AKP-së: A nuk patët kandidat tjetër përveç ish-zyrtarit të AAK-së për drejtor?

Mustafa pyet Bordin e AKP-së: A nuk patët kandidat tjetër përveç ish-zyrtarit të AAK-së për drejtor?

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka reaguar përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, për zgjedhjen e drejtorit menaxhues të AKP-së, Valon Tolajn, i cili është ish-sekretar organizativ i AAK-së.

Mustafa ka kujtuar kohën kur ai reagonte për largimet në AKP, e që sipas tij, nga kjo agjenci detyroheshin të largoheshin të pakorruptueshmit.

Lexo reagimin e Mustafës në muajin tetor: Sipas Mustafës, nga AKP-ja po largohen të pakorruptuarit që dikush të pasurohet me pronat e Kosovës

“Bordi i Drejtorëve të AKP-së zgjodhi për drejtor menaxhues të Agjencisë së Privatizimit, sekretarin organizativ të AAK-së. Kur në fund të muajit tetor reagova për shkarkimin e ish-drejtorit të AKP-së dhe dorëheqjen e Kryetarit të Bordit, me një prononcim të gjatë Bordi i Drejtorëve të AKP-së, më 30 tetor 2018, më reagoi ashpër duke më mbajtur shumë ligjërata, ndër të tjera se “pra, AKP nuk është agjenci qeveritare dhe as politike, por është institucion i Kuvendit, mbikëqyret nga Kuvendi dhe i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Mirë shumë!”, ka shkruar Mustafa sot në Facebook.

Mustafa thotë se me këtë mënyrë të përzgjedhjes së drejtorit të AKP-së, kjo agjenci tregon se është politizuar.

“Tani unë i pyes anëtarët e Bordit, a nuk patët kandidat tjetër përveç sekretarit organizativ në AAK-së për drejtor menaxhues. A u detyruan, juve “të institucionit të pavarur” ta shkarkoni drejtorin e mëparshëm pak pa i kaluar mandati, për ta zgjedhur ish-zyrtarin e AAK-së?? A e ndjeni edhe më tutje veten se jeni të pavarur si institucion apo jeni strukë nga frika se edhe juve ua vëjnë ndonjë taksë. Pyes edhe Kuvendin, pse po lejon që agjencitë e saj të politizohen dhe të kapen nga interesa të drejtpërdrejta partiake?”, ka shkruar tutje Mustafa.

Kujtojmë se Tolaj pason Ekrem Hajdarin, të shkarkuar nga kjo pozitë javë më parë.

“Veprimet e tilla konsideroj se janë të dëmshme, ato bëhen për interesa klienteliste të Qeverisë dhe AAK-së, çmimin e të cilave e paguan shteti i Kosovës dhe qytetarët e Kosovës”, ka përfunduar Mustafa.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0