Mustafa për koalicionin qeverisës: Këta vazhdojnë të bëjnë pazare

Mustafa për koalicionin qeverisës: Këta vazhdojnë të bëjnë pazare

Mustafa numëron dështimet e koalicionit qeverisës, “këta vazhdojnë të bëjnë pazare”

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se “Koalicioni, që rrihte gjoks se do të merr vendime të mëdha, po e kolapson Kosovën”.

Këtë e ka thënë në një postim në profilin e tij në Facebook. Ka thënë se po mbushen tre javë me shkolla e fakultete të mbyllura, e këta vazhdojnë të bëjnë pazare.

“Mijëra pacient presin për t’u operuar, ndërkaq kirurgët vazhdojnë grevën; Të pakënaqur me paga shprehen edhe gazetarët e RTK-së, doganierët, infermierët, punonjësit e shërbimit korrektues. PSD e shantazhon Qeverinë me Ligjin për paga, Ligjin për dialogun, shkarkime e ngarkime… ashtu siç e shantazhonte Lista Serbe. Po hyjmë në muajin e tretë, që katër komuna në veri nuk e pranojnë sovranitetin shtetëror; Ky koalicion dështoi në liberalizimin e vizave, në anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dështoi me kontratën e Kosovës së Re, sepse u tërhoq financuesi kryesor – Banka Botërore, po e shkatërron Telekomin me punësime partiake sikurse edhe ndërmarrjet e tjera publike; Ky është koalicioni me Qeverinë me 1/3 e ministrave me aktakuza me mbi 80 zëvendësministra; Ky koalicion ia humbi Kosovës 13 njohje; Korrupsioni, sipas matjeve ndërkombëtare është në rritje; Marrëdhëniet me SHBA dhe BE janë përkeqësuar”, ka shkruar Mustafa, transmeton Koha.net.

Tutje, ai thotë se e gjithë kjo nuk habitë.

“Janë këta të njëjtit që për dy vite e gjysmë e kallën Kosovën, erdhën në pushtet me dhunë; kundërshtuan Marrëveshjen për demarkacionin deri sa erdhën në pushtet; janë të njëjtit që organizuan anulimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por nuk arritën, në dhjetor të vitit 2017 dhe që nuk mërziteshin as për BE-në e as për SHBA-të. Kosova nuk duhet t’ia besoj edhe më tutje këtij koalicioni qeverisjen e vendit; nuk duhet t’ia besoj dialogun për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, nuk duhet t’ia besoj arkën e shtetit”, ka shkruar tutje Mustafa.

Sipas tij, qeverisja e këtij koalicioni, në krye me PDK-në, është e dëmshme për Kosovën.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0