Mustafa për grevat: Nxënësit dhe pacientët po e pësojnë nga mashtrimet e fushatës

Mustafa për grevat: Nxënësit dhe pacientët po e pësojnë nga mashtrimet e fushatës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj grevës në sektorin e arsimit dhe në atë të shëndetësisë, duke thënë se duhet të gjendet zgjidhje e menjëhershme mbi bazë parimore. Mustafa është shprehur se Qeveria ka bërë veprime përmes të cilave ka hapur dyert që të gjithë të kërkojnë rritje të pagave.

Mustafa këto komente i ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku ka shkruar se është dëm i madh kur fëmijët fillojnë të mësohen të humbin mësimin dhe kur pacientët shtrëngohen të durojnë sëmundjet e tyre, pa e ditur se kur do të përfundojnë grevat.

I pari i LDK-së ka thënë se ai dhe qeveria e tij është kritikuar nga njerëzit e këtij kabineti qeveritar, se kanë lënë shumë borxhe për paga e mëditje, të cilat pastaj siç e quan ai, me vendimet e guximshme i ka kryer Qeveria aktuale. Mustafa thotë se Qeveria e udhëhequr nga ai i ka mbetur borxh vetes, duke punuar me paga dyfish më të ulëta sesa tjerët.

“Qeveria ime i mbeti borxh para së gjithash vetvetes. Sepse vazhduam të punojmë me dyfish paga më të ulëta sesa tjerët. Por u angazhuam të ndërtojmë rregulla që pagat të mos caktohen me fushatë parazgjedhore dhe me vendime ad-hoc por me Ligj. Që rritja e pagave të shkojë proporcionalisht me rritjen ekonomike dhe që të përcaktohet sistemi i pagave të njëjta për punë të njëjta. Ndryshe përfundojmë me krizë financiare si Greqia e para disa viteve, por me dallim se Greqia shfrytëzoi fondet e BE-së, si anëtare, e ne falimentojmë lehtë, sepse nuk jemi anëtare e BE-së”, ka shkruar Mustafa.

Tutje, ai ka thënë se pa marrë parasysh edhe sa ditë apo muaj i ka kjo qeveri, të gjithë duhet të sillen racionalisht sa i përket arkës së shtetit por edhe kërkesave për rritje të pagave.

“Të punohet me FMN-në për kriteret, të bëhen analiza krahasuese me vendet në regjion dhe sistemi i pagave të përcaktohet me parime. Është dëm të pësojnë fëmijët, studentët, pacientët dhe qytetarët nga premtimet dhe mashtrimet gjatë fushatës dhe nga vendimet e pamatura”, ka përfunduar Mustafa.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0