Mustafa e Kurti pritet të takohen javën e ardhshme

Mustafa e Kurti pritet të takohen javën e ardhshme

Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin e saj për të mbajtur sa më shpejt takime në nivel liderësh me LDK-në për formimin e qeverisë, ndërsa nga kjo parti thonë se takimi do të ndodhë kah mesi i javës së ardhshme, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Asnjëra parti megjithatë mungesën e takimeve nuk e konsideron si “ngërç” mes tyre.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë për KosovaPress se nuk i pengon asgjë moscertifikimi i rezultateve të KQZ-së për të diskutuar mbi disa tema që ka dallime mes partive. Ajo i ka bërë thirrje LDK-së që me të njëjtin intensitet të takimeve që kanë pasur grupet punuese të ndodhin takimet mes dy krerëve partiakë.

“Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë që të nënshkruajmë marrëveshjen para se KQZ-së të certifikojë rezultatet zgjedhore. Mirëpo, nuk na pengon asgjë që ne të flasim për temat. Në këtë rast nëse kemi përfunduar më se 80 për qind të çështjeve programore, tash është diskutimi mbi ndarjen e ministrive dhe po ashtu çështja e dialogut me Serbinë, por edhe ndonjë çështje tjetër që grupi punues nuk ka gjetur pajtim. Prandaj unë nuk e kuptoj në qoftë se ka ndonjë hezitim nga ana e LDK-së se pse ka deklarata të tilla për sa kohë në takimet e brendshme që kemi pasur ka qenë jashtëzakonisht pozitiv. Prandaj, ne ftojmë ata që me intensitetin e njëjtë që kanë pasur grupet punuese të vazhdojnë edhe takimet e kryetarëve. Ne do të angazhohemi që takimi të ndodhë sa më parë”, ka deklaruar ajo.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në anën tjetër ka thënë se takimi mund të ndodhë kah mesi i javës së ardhshme, “pasi s’mund të ketë ndarje të ministrive pa pasur informatë të saktë se sa deputetë i kanë të dy partitë”.

“Diku kah mesi i javës tjetër do të kemi edhe certifikimin e rezultateve nga KQZ-së, pastaj sa më shpejt që do të lejojë agjenda e dy liderëve, Isa Mustafa dhe Albin Kurti do të kemi edhe takimin e radhës për të bërë përmbylljen edhe të aspektit politik të marrëveshjes të bashkëqeverisjes. Ky takim do të mbahet pas certifikimit të rezultateve. Nuk mund të kemi një takim ku ndajmë pushtetet, pra të kemi strukturën finale të qeverisë së ardhshme dhe ndarjen e pushteteve, ministrive në mes dy partive tona pa pasur një informatë të saktë se sa deputetë do të kemi si dy parti. A do të kemi 57 apo 61, kjo është mjaft e rëndësishme. Prandaj do të presim deri në certifikimin nga ana e KQZ-së që të kemi edhe konfirmimin e ulëseve në Parlament”, ka deklaruar ai.

Analisti politik, Arton Demhasaj këto vonesa i sheh si një tendencë të LDK-së për ta parë në një pozitë më të butë Lëvizjen Vetëvendosje, në mënyrë që të rriten apetitet për postet ministrore.

“Nuk është nevoja të pritet certifikimi i rezultateve, por thjesht duhet të mbahen takime për diskutimet e tyre për përafrimin e programeve e tyre politike. E njëkohësisht për krijimin e plan-programit qeverisës dhe ndarjen e resurseve qeveritare mes këtyre dy subjekteve politike. Që në momentin kur kemi shpalljen ose certifikimin e rezultateve finale të KQZ-së, këto të jenë të gatshme dhe menjëherë të mos ketë vonesa të tjera…Potencialisht, LDK pret këtë që të sheh një pozitë pak më të butë të VV-së nga ana e numrit të deputetëve që kjo pastaj të shndërrohet tek ajo ndarja e posteve ministrore që i bëjnë këto dy subjekte politike”, thotë Demhasaj.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultateve të KQZ-së ka dalë e para, pasuar nga LDK.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0