Mustafa: 100 për qind taksën po e paguan Kosova, e jo Serbia e Bosnja

Mustafa: 100 për qind taksën po e paguan Kosova, e jo Serbia e Bosnja

Kreu i LDK-së, njëherësh ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur bindjen se tarifën e kësaj qeverisjeje nuk po e paguan Serbia dhe Bosnja, por atë njëqindpërqind po e paguan Kosova.

“Deri sa Drejtoria e doganave deklaron se importet nga këto vende kanë rënë 99%, shitoret janë përplot me mallra serbe e boshnjake. Kështu thonë qytetarët! Ndërkaq ne gjithnjë e më shumë po e paguajmë taksën/tarifën e evazionit fiskal, korrupsionit, nepotizmit, punësimit partiak; po e paguajmë lobimin e njërit dhe tjetrit, kapjen e kompanive publike dhe agjencive të pavarura; po e paguajmë targën e abstenimit të prokurorisë dhe gjyqësisë ndaj shkeljeve dhe abuzimeve; targën e shkeljeve të Kushtetutës si pasojë e pazareve të koalicionit qeverisës për votat që i mungojnë për të qeverisur”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, në Kosovë, për më shumë se një vit, dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë ka bërë që institucionet dhe opinion publik të mos merren me zhvillim ekonomik, punësim, arsim e problemet e shëndetësisë.

“Thua se ushqimi për popullatën tonë është dialogu, se arsim është dialogu e shëndet është dialogu me Serbinë?! Dialogu është shndërruar në garë për t’ia treguar njëri tjetrit muskujt brenda koalicionit të brishtë qeverisës, por edhe në instrument për të mbajtur pushtetin. Është bërë si arenë e gladiatorëve, ku sunduesit e zhvendosnin vëmendjen e qytetarëve nga problemet e tyre”, ka thënë me bindje Mustafa.

Mustafa ka thënë se nëse dikush nga koalicioni qeverisë e do këtë vend, derisa ka shtuar se nuk dyshon se ka të tillë, atëherë duhet ta pranojnë se e kanë mashtruar popullin dhe vetëveten me parullat e PDK-së të vendimeve të mëdha, dhe se vendimi i vetëm i drejtë i tyre është të japin dorëheqje.

“Të vetëshkarkohen e të shkojmë në zgjedhje. Dhe, vendim i drejtë i ndërkombëtarëve do të jetë të mos bëjnë presion për dialog, sepse as gjë e mirë, përpos ushqimit të popullizmit, nuk arrihet nën presion të tillë”, ka thënë Mustafa

COMMENTS

WORDPRESS: 0