Murati: Me qeverinë Hoti as që mund të mendohet rimëkëmbja ekonomike

Murati: Me qeverinë Hoti as që mund të mendohet rimëkëmbja ekonomike

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, ka adresuar kritika të shumta në adresë të qeverisë Hoti në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Murati në këtë intervistë dhënë “Epokës së re” ka thënë se me këtë qeveri as që mund të mendohet rimëkëmbja ekonomike.

“Për vetëm dy muaj qeverisje prejse erdhi në pushtet kjo qeveri jolegjitime, nga vendi që merrej shembull për luftimin e virusit, Kosova tani është shndërruar në vend që kryeson listat globale me numrin e të infektuarve për kokë banori. Si pasojë e këtij degradimi, nuk mund të mendohet më për rimëkëmbje”, ka thënë Murati, duke shtuar se Kosovës i duhet një pako e dytë emergjente, që ta sigurojmë mbijetesën e qytetarëve dhe bizneseve, gjendja financiare e të cilëve është duke u rënduar çdo ditë.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, i hartuar nga qeveria Hoti, nuk e adreson fare këtë çështje.

“E tëra që mund të gjendet në ato pak faqe që ka ky dokument, është propozimi për t’u mundësuar kontributpaguesve t’i tërheqin 10 për qind të mjeteve të tyre nga Trusti, që në thelb është masë likuiditeti e patargetuar për ndonjë sektor apo industri, dhe propozimi tjetër që ka të bëjë me dhënien e mundësisë qeverisë që t’i shpenzojë 100 milionë euro nga fondi i privatizimit, për shpenzime për të cilat nuk e ka autorizimin nga Kuvendi”, është shprehur Murati.

Sipas Muratit, shfrytëzimi i mjeteve të Trustit është logjikë e gabuar.

“Që nga themelimi në vitin 2002 për Trustin ka ekzistuar parimi i paprekshmërisë. Pavarësisht se çfarë ndodhë, as qeveria e askush tjetër nuk mund t’i prekë mjetet e Trustit. Ato mjete u takojnë kontributpaguesve dhe mund të tërhiqen vetëm në rastin kur kontributpaguesi arrin moshën e pensionit. Tani me këtë propozim, po shkelet ky parim. Dhe me shkeljen e parimit të paprekshmërisë, Trusti më nuk është i paprekshëm sepse po hapet dera që edhe në të ardhmen, secila qeveri që i ka 61 vota në Kuvend, t’i fusë duart në paratë e Trustit”, ka deklaruar Murati.

Në këtë intervistë, deputeti Murati ka folur edhe për inicimin e mocionit të Vetëvendosjes për rrëzimin e qeverisë Hoti. Ai ka thënë se e kanë marrë një iniciativë të tillë për shkak të keqqeverisjes që është duke ndodhur në vendin tonë.

“Është detyrë e jona që ta ndalim të keqen sa më herët që është e mundur, jo për të ardhur në pushtet si qëllim në vete, por që ai pushtet të përdoret për ta rikthyer situatën në kontroll dhe të ndalet degradimi i mëtutjeshëm”, ka thënë Murati, duke e kritikuar qasjen e PDK-së në raport me këtë mocion.

“Para se të dilnim me mocion, PDK-ja në më shumë se një rast ishte shprehur e gatshme ta nënshkruante mocionin. Tani që dolëm me mocion, ndryshoi qëndrimi i tyre. Kjo vetëm e betonon atë që e kemi thënë që nga fillimi, se PDK-ja është opozitë vetëm në letër sepse, në fakt, koordinimi i saj me LDK-në në shumë raste është më i mirë sesa i LDK-së me partnerët zyrtarë të koalicionit”,ka thënë ndër të tjera Murati.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0