Murati: “Kosova e Re” projekt i varfërimit të vendit

Murati: “Kosova e Re” projekt i varfërimit të vendit

Banka Botërore është tërhequr përfundimisht nga financimi i termocentralit “Kosova e Re”, i cili nga qeveria e Kosovës po konsiderohet si projekti më strategjik për zhvillim ekonomik që nga paslufta.

Drejtori i Bankës Botërore Jim Yong Kim, tha të mërkurën se ata po tërhiqen nga financimi i këtij projekti, për shkak se ai do të prodhojë rrymë me thëngjill, duke e ndotur kështu ambientin.

Megjithatë përveç ndotjes se ambientit, ky termocentral do të ndikonte keq edhe në ekonominë e Kosovës.

Kështu vlerëson ekonomisti Hekuran Murati.

Ai në një prononcim për inFokus tregon se në këto kushte me të cilat është negociuar ky projekt, do të rritej varfëria në vend.

“Vendimi i Bankës Botërore ka qenë i pritur që nga fillimi. Jo vetëm për shkak të qymyrit si teknologji, por edhe për shkak se kushtet financiare të negociuara për projektin janë tmerrësisht të pafavorshme për Kosovën. Realizimi i këtij projekti me këto kushte vetëm sa do të thellonte varfërinë në vend, gjë që bie ndesh me synimet e vetë Bankës Botërore”, thotë ai.

Murati thekson se megjithatë edhe pas këtij reagimi të Bankës Botërore, thëngjilli duhet të shfrytëzohet si resurs për të prodhuar energji elektrike.

Pas publikimit të qëndrimit të drejtorit të Bankës Botërore, reagoi edhe ministri Valdrin Lluka i cili tha se ky projekt do të vazhdojë edhe pa këtë përkrahje.

E këtu, Murati thotë se Lluka reagoi sikur të ishte zëdhënës i kompanisë Contour Global.

“Fakti se ministri Lluka në deklaratën e tij të djeshme më tepër tingëllon si zëdhënës i kompanisë Contour Global sesa si ministër, besoj tregon mjaftueshëm”, përfundon ai. /Gazeta inFokus

COMMENTS

WORDPRESS: 0