Murati i VV-së: Qeveria jolegjitime s’ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndihmuar bizneset

Murati i VV-së: Qeveria jolegjitime s’ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndihmuar bizneset

Kuvendi i Kosovës sot (e premte) pritet ta shqyrtojë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka vlerësuar se një projektligj i tillë nuk reflekton emërtimin e tij.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se me një projektligj të tillë nuk mund të ketë rimëkëmbje ekonomike. “Projektligji në fjalë ka mungesa të theksuara në përmbajtje dhe as për së afërmi nuk reflekton emërtimin e vet ligjit. Pra, me këtë projektligj nuk mund të ketë rimëkëmbje ekonomike siç është proklamuar që sa kohë. Ne si Lëvizje Vetëvendosje do të përpiqemi që përmes amendamentimit, së paku t’i përmirësojmë disa gjëra në mënyrë t’u ndihmohet sa më shumë qytetarëve dhe bizneseve”, ka deklaruar Murati.

Ai ka thënë se deri më tani qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti nuk ka marrë asnjë veprim për t’u dalë në ndihmë bizneseve. Në këtë kontekst, Murati ka thënë se, edhe nëse miratohet ky projektligj, nuk do të ketë ndonjë ndryshim sa i përket rimëkëmbjes ekonomike.

“Deri tani nga kjo qeveri jolegjitime nuk është se kemi parë ndonjë veprim apo masë që ka qenë e dedikuar t’u vijë në ndihmë bizneseve, shto këtu edhe dështimin për ta përmbushur pakon e emergjente të nisur nga qeveria Kurti. Tek tani në Kuvend ka ardhur projektligji i emërtuar për rimëkëmbje ekonomike, por as aty nuk vërehet se ka ndonjë masë konkrete, me përjashtim të sektorit të gastronomisë. Mirëpo ekonomia është shumë më tepër se kaq. Dhe rrjedhimisht, ky projektligj, edhe nëse miratohet, nuk do të përbëjë ndonjë ndryshim sa i përket ekonomisë dhe rimëkëmbjes nga pandemia”, është shprehur Murati.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0