“Mungesa e sundimit të ligjit, emëruesi i përbashkë i problemeve të biznesit në vend”

“Mungesa e sundimit të ligjit, emëruesi i përbashkë i problemeve të biznesit në vend”

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka  prezantuar rezultatet e studimit  “Bottleneck”, me qëllim identifikimin e barrierave që pengojnë të bërit biznes në Kosovë.

Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu, tha se ajo çka shihet nga të gjeturat e studimit  është se mungesa e funksionimit të ligjit është emëruesi i përbashkët, që sjell problemet në aktivitetin ekonomik në vend.

Sipas tij fokusimi i politikës kosovare në demarkacion, asociacion dhe liberalizim e kanë ngulfatë zhvillimin ekonomik.

“Të gjeturat janë produkt i dialogut mes OEK dhe bizneseve. Ne kohën kur agjenda politike është e ngarkuar mbetet pak hapësirë për aktivitete ekonomike. Është fjala demarkacion, asociacion dhe termi liberalizim. Kjo e ka ngulfatur ekonominë.

“…ajo çka shihet nga të gjeturat e studimit  është se mungesa e funksionimit të ligjit është emëruesi i përbashkët, nëse s’ka forcim do të jetë e pamundur te eliminohet ekonomia jo formale. Energjia elektrike, duhet të përdoren modele që janë pozitive në rajon e më gjerë, problemi me furnizim ti takojë të kaluarës. Integrimi ekonomik është parakusht për integrimin politik”tha ai.

Olivera Ceni Bardiqi, përfaqësuese e Departamenti të analizave në OEK, prezantoi të gjeturat e studimit: 61 për qind e bizneseve e shohin si top barrier konkurrencën jo lojale nga ekonomia e hirtë , kostoja e energjisë elektrike 51 për qind, kamatat e larta dhe kostot shtesë për transaksionet bankare 38 për qind, mungesa e parasë së gatshme 32.5 për qind dhe mungesa e fuqisë punëtore e shkathtë 31.6 për qind .

Për 37,8 për qind të bizneseve jo-qëndrueshmëria politike poashtu zë vend në mesin e barrierave, pasuar nga korrupsioni 28.5 për qind, që në vitin 2017 u cilësua si njëra nga barrierat kryesore për bizneset e Kosovës.

Sytrime Dervisholli, nga Departamenti i Tregtisë në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha se është evidentë që energjia elektrike mbetet pengesë për zhvillimin e biznesit në vend.

“Njëra ndër barrierat, energjia elektrike mbetet shqetësuese për bizneset. Kemi pasur raste që për këtë shkak ka pasur edhe mbyllje të fabrikës”, ka thënë Dervisholli, duke shtuar se Kosova ka krijuar mekanizmat e saj për tregti të lirë.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, tha se sado që është bërë punë në zvogëlimin e informalitetit, kjo mbetet pengesë për tatimpaguesit.

Sipas tij, kjo dukuri dëmton bizneset, buxhetin e shtetit dhe ndikon ne dobësimin e aktivitetit biznesor në vend.“Është intriguese pyetja cilat janë barrierat për bizneset. Rezultatet e studimet janë reale, por mbi të gjitha është mirë që ofrojnë rekomandime për institucionet. Këto biznese e radhisin barrierë konkurrencën jo-lojale në ekonominë e hirtë. Sado që është punë e madhe në zvogëlimin e informalitetit kjo mbetet pengesë për tatimpaguesit. Kjo dukuri dëmton bizneset, buxhetin e shtetit dhe ndikon ne dobësimin e aktivitetit biznesor në vend”.

Bahri Berisha, drejtor në Doganën e Kosovës, tha se  sfidë për ta mbetet ekonomia joformale sidomos në pjesën veriore të vendit.

Po sipas tij, Kontrabanda që është duke u zhvilluar atje përmes vijës së gjelbër është shumë më e vogël.

“Është sfidë edhe për ne çështja e ekonomisë së zezë joformale e sidomos në pjesën e Mitrovicës veriore. Atë që dua të ju siguroj që sot ka shumë më shumë kontroll. Kontrabanda që është duke u zhvilluar atje përmes vijës së gjelbër është shumë më e vogël, por prapë është prezent”.

“Besoj që gjatë këtyre viteve dogana ka bërë hapa pozitivë në krijimin e lehtësirave tregtare por normalisht që ka hapësirë për përmirësimeve. Përkundër atyre që kemi bërë deri sot ka nevojë për të bërë edhe më shumë”.

“Ne kemi takime të rregullta me bizneseve  nuk kemi kërkesa specifike por ne mundohemi që t’i lehtësojmë procedurat. Ne do të vazhdojmë dhe presim që në mënyrë specifike të na i adresoni barrierat tuaja”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0