Molliqaj shefi i ri i PSD-së

Molliqaj shefi i ri i PSD-së

Pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga posti i kryetarit të Partisë Social Demokrate, në krye të kësaj partie u zgjodh Dardan Molliqaj.

Në garë për kreun e partisë ishin edhe kandidatë të tjerë të cilët ishin tërhequr.

Kujtojmë se sot tashmë ish-kryetari i PSD-së, kishte konfirmuar dorëheqjen e tij, me arsyetimin se ai ishte përgjegjës si kryetar i kësaj partie, për zgjedhjet e 6 tetorit.

…….

Shpend Ahmeti sot ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë Social Demokrate. Sot kjo parti është duke mbajtur Kuvendin zgjedhor, ku do të zgjidhet kryetari dhe kryesia e partisë

Gazeta Express nga burime brenda PSD’së mëson se pretendenti kryesor për postin e kryetarit të PSD’së është Dardan Molliqaj.

Ndërkaq në garë janë edhe katër kandidatë tjerë.

Ndërkaq, Shpend Ahmeti dorëheqjen e tij nga strukturat e partisë e ka bërë të ditur sot përmes një statusi në Facebook.

Ai ka thënë se fajin për dështimin e PSD’së në zgjedhjet e 6 tetorit e ka ai si kryetar.

“Natyrisht se përgjegjësia më e madhe është e imja si kryetar i subjektit. Për të mos kërkuar përgjegjësi nga asnjëri individualisht, si kryetar i subjektit kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit të PSD si organ më i lartë vendimmarrës në subjekt. Meqenëse edhe Statuti i PSD kërkon mbajtjen e zgjedhjeve pas zgjedhjeve nacionale për Kuvendin e Kosovës, sot kam kërkuar nga Kuvendi i PSD mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë duke filluar nga kryetari. Kjo na mundëson që kolektivisht të reflektojmë dhe të marrim përgjegjësi si parti. Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe që nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do ta votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti”, ka shkruar Ahmeti në statusin e tij ku ka bërë të ditur dorëheqjen.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: