Deputeti i Partisë Sociademokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar një ditë pas emërimit të Bahri Hysenit në krye të Këshillit Prokurorial. Ai thotë se ky emërim është dëshmi e kapjes së shtetit nga klani Pronto.
Emërimin e Hysenit, i cili ishte pjesë e përgjimeve “Pronto”, Molliqaj e quan vazhdimësi të kapjes së shtetit nga protagonistët e asaj afere.
Deputeti i PSD-së ka shkruar se shkapja e shtetit mund të ndodhë vetëm me vënien e klanit Pronto para drejtësisë.
Shkrimi i plotë i Molliqajt:
VAZHDON KAPJA E SHTETIT NGA KLANI PRONTO
Emërimi i Bahri Hysenit në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës dëshmon atë që e kemi thënë qe sa kohë: nuk ka çlirim të shtetit pa vendosjen para drejtësisë të Klanit Pronto.
Bahri Hyseni është një prej protagonistëve të Klanit Pronto. Kjo u dëshmua nga përgjimet që iu bënë këtij klani. Emërimi i tij në krye të Këshillit Prokurorial është vazhdimësi e kapjes së shtetit e në veçanti sistemit të drejtësisë.
Nuk mund të ketë drejtësi as zhvillim në Kosovë, përderisa krimi e korrupsioni ka uzurpuar çdo pore të shoqërisë. Nuk mund të ketë shtetndërtim, pa vendosjen para drejtësisë të Klanit Pronto.
COMMENTS