Mogherini-Kosovës: Nuk ka dialog pa e hequr taksën

Mogherini-Kosovës: Nuk ka dialog pa e hequr taksën

Takimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës ka qenë i tensionuar gjatë gjithë kohës.

Burime të afërta me ngjarjen i kanë shpjeguar KTV-së rrjedhën e takimit në Bruksel. Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Johanes Hahn ka shkuar me vonesë në takim, ka qëndruar shkurt, ka mbajtur fjalim dhe më pas e ka lënë takimin për të njoftuar ndihmën rreth 100 milionëshe për Serbinë.

Fjalët kanë qenë të rënda si nga ana e Mogherinit ashtu edhe nga ana e palës kosovare. Si kryeministri, ashtu edhe zv/kryeministrat Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj kanë mbajtur qëndrim kritik ndaj BE-së në raportin e saj me Kosovën.

Palët nuk kanë arritur të merren vesh për një deklaratë të përbashkët.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini u ka thënë përfaqësuesve të Kosovës, se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun nëse Kosova nuk e heqë taksën.

“Nëse doni të ecet përpara në këtë proces Prishtina duhet të nisë të reagojë”, u ka thënë Mogherini liderëve kosovarë, mëson KTV-ja.

Sipas burimeve, përgjigja e Haradinajt ka qenë se ky është vendim sovran i Kosovës, dhe nuk i është drejtuar BE-së, por Serbisë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0