Mjerimi Kosovar: Oferta për 2,000 vende pune që u prezantua në Prizren është mashtrim (HULUMTIM)

Mjerimi Kosovar: Oferta për 2,000 vende pune që u prezantua në Prizren është mashtrim (HULUMTIM)

Gjatë ditës së sotme, gjithandej portaleve dhe rrjeteve sociale mund të shiheshin fotografi dhe video që shfaqnin mijëra qytetarë, të cilët të dëshpëruar me gjendjen në Kosovë, i’a kishin mësyer Shtëpisë së Kulturës në Prizren me shpresën se do t’u buzëqeshte fati dhe do të gjenin një vend pune në Gjermani.

Aty, një “kompani gjermane” po prezantonte 2,000 vende pune, kryesisht në fushën e aviacionit në aeroportin e Frankfurtit, dhe se sipas tyre ata kishin ardhur në Kosovë që për këto pozita të rekrutonin staf nga këtu.

E tëra kjo po tingëllonte si një tregim tepër i mirë, madje aq i mirë sa që vështirë të besohet. Prandaj EkonomiaSot i’u përvesh punës që të gjente të vërtetën prapa kësaj ndodhie.

Nga hulumtimi i deritanishëm i EkonomiaSot, del se premtimi për 2,000 vende pune është mashtrim, ndërsa “kompania gjermane” që ka prezantuar sot në Shtëpinë e Kulturës në Prizren është kompani fantome, e cila në webfaqen aspak profesionale ka vetëm 4 vende pune që figurojnë si aktive.

Me sa duket, qëllimi këtu është që qytetarëve fatkeq dhe të dëshpëruar për një vend pune në Gjermani, t’u mirren para për aplikim dhe pastaj kompania që ka organizuar këtë ngjarje të zhduket nga faqja e dheut. Duke i lënë kështu “aplikantët” pa një adresë se ku mund të ankohen.

Një skemë të ngjashme e kemi mjaft të freskët. Për mashtrim të rreth 900 personave për viza pune në Gjermani aktualisht po akuzohet deputeti Milaim Zeka, dhe partneri i tij afarist Ilir Krasniqi. Sipas një raportimi të Insajderit, Zeka dhe Krasniqi akuzohen se me premtimin për sigurimin e një vendi të punës në Gjermani, aplikantët ishin detyruar të paguanin shuma që varionin nga 50 euro e deri në 3,500 euro, mirëpo viza e punës nuk kishte ardhur kurrë.

Cila është kompania që premton 2,000 vende pune në Gjermani, dhe kush qëndron prapa saj?

Ishte portali online Telegrafi ai që së pari kishte njoftuar për këtë ngjarje. Në lajmin e datës 23 tetor 2018 përmenden dy kompani në lidhje me ofertën për “2,000 vende pune”. Njëra është kompania gjermane “OBM Aviation”, e cila thuhet se ofron vendet e punës, si dhe kompania “BSB Aviation”, e cila me sa duket është partneri vendor.

Në bazë të hulumtimit të EkonomiaSot, del se kompania gjermane “OBM Aviation” është një “shell company” apo kompani fantome, kurse kompania vendore “BSB Aviation” del të jetë regjistruar tek më 23 tetor 2018, pra të njëjtën ditë që është plasuar lajmi nga portali Telegrafi.

Kompania “BSB Aviation” është regjistruar në formën Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK), me kapital prej vetëm 1,000 euro, ndërsa pronar figuron të jetë një person i quajtur Bujar Berisha.

Ky lloj formati (SHPK) nënkupton se në rast të ndonjë padie eventuale nga palët e dëmtuara, maksimumi që të gjitha palët së bashku mund të marrin si dëmshpërblim është shuma totale prej 1,000 euro.

“OBM Aviation” – kompania fantome

EkonomiaSot poashtu është interesuar që të mësojë se kush qëndron prapa kompanisë fantome “OBM Aviation” që pretendon të jetë kompani gjermane.

Një kërkim në Google për këtë kompani tregon se në fakt ekziston një webfaqe me këtë emër obm-aviation.com, e cila në shikim të parë duket profesionale. Mirëpo pas një shfletimi më të thellë, kuptohet se në fakt faqja është e pa-kompletuar, e madje nuk ka as adresë të biznesit, dhe as nuk tregon se kush është pronari, gjë që normalisht kërkohet me ligj për të gjitha bizneset gjermane (Impressum).

Tek pjesa e kontaktit, si adresë e kompanisë figuron një qytet në Buffalo, SHBA. Ndërsa më poshtë shihet teksti latinisht, i cili zakonisht mund të gjendet në webfaqe të pa-kompletuara.

Mirëpo EkonomiaSot ka mësuar se adresa e kompanisë në fjalë është Eiffestraße 78, 20537 Hamburg, dhe ka për pronar Christian Scholdei-Kovac dhe Carsten Gottfried.

Më tutje, mund të shihet se edhe vendet e punës që janë te reklamuara në faqen kryesore janë publikuar që 3 muaj më parë dhe nuk janë përditësuar kurrë më. Madje, në total figurojnë vetëm 4 vende të tilla, gjë që nuk është as afër numrit prej 2,000 vendeve të punës që pretendon t’i ketë kjo kompani.

Mashtrimi me 2,000 vende pune

Andaj përfundimi i vetëm që mund të arrihet nga kjo që shihet është se në fakt kjo kompani gjermane as për së afërmi nuk ka kapacitet të ofrojë 2 mijë vende pune, por kjo po bëhet me qëllim të mashtrimit të qytetarëve, të cilëve pasi t’u jenë marrë paratë, të lihen me “gishta në gojë”, njësoj sic ka ndodhur me shumë raste tjera në Kosovë.

Ndërlidhja e “OBM Aviation” me kompaninë e trajnimeve

Një kërkim mbi webfaqen e “OBM Aviation” tregon se ajo është krijuar vetëm 3 muaj më parë, pra me 18 korrik 2018, si dhe prapa saj qëndron një kompani tjetër, e ajo është “Gate Training GmbH”.

Nga Impressum-i në faqen gate-training.de shihet se adresa e biznesit është Suderstrasse 73, Hamburg. Kurse si pronarë figurojnë Timo Fischer dhe Christian Scholdei-Kovac. Pra përsëri del personi i njëjtë me mbiemrin Kovac, i përfshirë edhe këtu.

Kjo del të jetë një kompani që merret me ofrimin e trajnimeve dhe certifikimeve të ndryshme në fushën e aviacionit. E që me gjasë plani i tyre ka qenë që kosovarëve t’u premtojnë “vende të sigurta pune në Gjermani”, me kusht që këta fillimisht të paguajnë për kurse dhe trajnime të shtrentja që kjo kompani ofron. Dhe pasi t’i kenë mbledhur paratë nga punëkërkuesit e dëshpëruar, t’ia mbathin nga Kosova, njësoj sic kanë bërë kompani tjera më parë, si rasti me Milaim Zekën dhe Ilir Krasniqin.

[Ky është hulumtim ekskluziv i EkonomiaSot, andaj ndalohet kopjimi apo ri-prodhimi i materialit pa lejen paraprake nga [email protected]]

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 1