Ministrja Bajrami: 2 milionë eurot u dërguan te një operator ekonomik me 4 transaksione

Ministrja Bajrami: 2 milionë eurot u dërguan te një operator ekonomik me 4 transaksione

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, ka treguar se jashtëligjshëm janë bërë 4 transaksione nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se mbi 2 milionë euro janë dërguar në llogarinë e një operatori ekonomik.

“Sot s’është lajmi i mirë, e keni parë në gazetë. Bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta, që kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit që është në kuadër të MF-së. 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik”, ka thënë Bajrami në konferencë për media.

Bajrami ka thënë se me të kuptuar rastin, e kanë raportuar atë dhe se tashmë është duke u zhvilluar një hetim i gjithanshëm.

“Me të kuptuar kemi raportuar rastin dhe krimet ekonomike po merren me hetim të brendshëm”, ka thënë Bajrami tutje.

Ministrja ka thënë se tashëm po interesohen të gjejnë se kush është përfituesi përfundimtar i të hollave.

“Deri më tani janë suspenduar 2 zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ne tanimë kemi gjurmuar, ky është transaksion bankar. Institucionet e rendit janë duke u marrë, duke parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka theksuar ajo.

Bajrami ka thënë se “institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”.

Ajo në fund ka thënë se institucionet e kanë gjurmuar rastin.

“Është rast i izoluar. Gjithçka po gjurmohet sepse është transaksion bankar”, ka thënë në fund.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0