Ministria e Drejtësisë bën fushatë për llogari të PDK-së

Ministria e Drejtësisë bën fushatë për llogari të PDK-së

Ministria e Drejtësisë është vënë në funksion të parafushatës elektorale të Partisë Demokratike të Kosovës, subjekt të cilit i faturohet përgjegjësia më e madhe për kapjen e shtetit dhe për shkallën e korrupsionit në vend.

Zyra e Kryeministrit është distancuar nga ky përcaktim.

Një ditë më parë nga e-maili zyrtar i kësaj ministrie iu është përcjellë medieve një deklaratë e ministrit në detyrë, Abelard Tahiri, nëpërmjet së cilës ka kërkuar nga partitë politike që ta mbështesin iniciativën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për ta nënshkruar “Paktin kundër korrupsionit”.

“Nisma e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, e prezantuar dje si ‘Pakt kundër korrupsionit’, shënon një momentum të ri kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit. Si i tillë, ky Pakt është në përputhje me frymën e ndryshimeve ligjore që kam ndërmarrë në dy vjetët e mandatit si ministër i Drejtësisë dhe në frymën e dekriminalizimit të sferës politike, çështje më se e domosdoshme për të siguruar një qeverisje efikase, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse”, thuhet në deklaratën e Tahirit, të cilën e ka përcjellë Ministria e Drejtësisë.

“I ftoj të gjitha partitë politike që të ndjekin shembullin e z. Veseli dhe të nënshkruajnë ‘Paktin kundër korrupsionit’, si shprehje e vendosmërisë dhe gatishmërisë për të ndërtuar një frymë të re politike kundër korrupsionit, kundër abuzimit me pushtetin dhe shkaqeve që mundësojnë keqpërdorimin”.

Tahiri i takon partisë së drejtuar nga Veseli.

COMMENTS

WORDPRESS: 0