Ministria dhe Komuna e Prishtinës ia dhanë dritën e gjelbër projektimit të lagjes luksoze buzë Badocit, thotë ndërtuesi

Ministria dhe Komuna e Prishtinës ia dhanë dritën e gjelbër projektimit të lagjes luksoze buzë Badocit, thotë ndërtuesi

Rrezikimi i ujit të pijshëm për banorët e rajonit të Prishtinës dhe lejimi i degradimit të natyrës nga vetë institucionet e Kosovës janë shqetësimet që ka ngritur te qytetarët paralajmërimi për ndërtimin e lagjes luksoze në brigjet e Liqenit të Badocit, të quajtur “Lakeside Gardens”, që në shqip i bie “Parqet buzë liqenit”.

Drita e gjelbër për projektimin e lagjes u është dhënë dy kompanive “KAWA Group” dhe “4M Group”. Përfaqësues të tyre kanë thënë se Komuna e Prishtinës pas një vendimi të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ua ka lëshuar kushtet e ndërtimit. Në kundërshtim me legjislacionin në fuqi buzë liqenit synohet ndërtimi i lagjes luksoze që do t’i ketë 17 vila. Kompanitë kanë bërë të ditur se ndërtimi do të bëhet në zonën e dytë të mbrojtur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas Udhëzimit administrativ mbi kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare të burimeve të ujit, ndërtimet që rrezikojnë cilësinë e ujit në zonën e planifikuar janë të ndaluara. Neni 24 i këtij udhëzimi tregon se Zona II përfshin territorin e zonës së mbrojtur për akumulacione, brezin prej 200 metrash prej kufirit të zonës I të mbrojtur përgjatë gjithë liqenit ose akumulacionit. Aty po ashtu thuhet se përfshin edhe brezin e gjerë prej 50 metrash në të dyja anët e ujërrjedhave që derdhën në liqe dhe akumulacion në tërë gjatësinë e pellgut të akumulacionit.

Sipas nenit 25 të këtij udhëzimi, në zonën II të mbrojtur sanitare të liqeneve dhe akumulacioneve ndalohet një varg aktivitetesh. Paragrafi i parë i këtij neni ndalon kultivimin e produkteve bujqësore, përpos në rastet e prodhimtarisë ekologjike pa përdorimin e plehrave. Në paragrafin tjetër ndalohet prodhimtaria e bagëtisë, përpos për nevojat e bujqësisë, respektivisht fermat deri në 20 krerë, me masat mbrojtëse në pajtim me problematikat e mira të bujqësisë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0