“Ministri Valdrin Lluka po e rrezikon sigurinë nacionale”

“Ministri Valdrin Lluka po e rrezikon sigurinë nacionale”

Telekomi i Kosovës përmes një komunikate për media ka akuzuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka për rrezikim të sigurisë nacionale për mos ekzekutim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve për implementim të kodit shtetëror dhe Ligjit për përgjime ligjore.

“Viti 2019 Telekomin e Kosovës e ka karakterizuar me sfida dhe vështirësi të shumta, qoftë në aspektin e operimeve si rezultat i pamundësisë financiare për t’i mirëmbajtur dhe zhvilluar platformat e veta për ofrimin e shërbimeve më të mira për konsumatorët; qoftë nga mungesa e përkrahjes së munguar nga Aksionari, konkretisht nga MZHE, si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se është e kuptueshme se të gjithë kompanitë telekomunikuese në botë viteve të fundit janë ballafaquar me rënie të të hyrave si pasojë e shumë faktorëve, ndërsa kësaj rënie nuk i ka shpëtuar as Telekomi i Kosovës. Duke marrë parasysh këtë trend, Telekomi i Kosovës, problemet, sfidat, telashet financiare i ka adresuar në mënyrë zyrtare vazhdimisht tek ministri i MZHE-së, Valdrin LLuka.

“Ministrit Lluka çdo herë dhe në çdo takim të mundshëm i janë rikujtuar problemet dhe pasojat e mundshme nga neglizhenca dhe mospërkrahja e duhur për kompaninë tonë, në kohën kur kemi pasur nevojë më së shumti për bashkëpunim reciprok dhe adresim të qartë të vendimmarrjeve në të dobi të stabilitetit teknik, financiar dhe social për Telekomin e Kosovës”, thuhet në komunikate.

E sipas Telekomit në vend të kësaj përkrahje të munguar, ministri Lluka për arsye që vetëm ai i dinë, në shumë raste e ka dëmtuar imazhin e Telekomit të Kosovës me deklaratat e tij për falimentim të ndërmarrjes, deklarime këto që nuk do të duhej të përfaqësonin qëndrimin parimor dhe logjik të Aksionarit, në këtë rast Qeverisë së Kosovës.

Prapavija e deklarimeve të tilla nga ministri Lluka edhe sot mbetet e panjohur dhe e pasqaruar.

“Dhe, në të njëjtin kohë vendimi për mosekzekutim të mjeteve të ndara të Qeveria e Kosovës, ministri Lluka e forcon edhe më tepër bindjen tonë se me vendimet e tij po e dëmton qëllimshëm dhe për interesa të tij afarizmin e Telekomit të Kosovës. Deklarimet e ministrit Lluka për qëllime e tij tendencioze, jo vetëm që kanë stagnuar operimet normale të kompanisë sonë, por me veprimet e tilla po rrezikon edhe Sigurinë Nacionale duke vështirësuar operimin edhe institucioneve të sigurisë kombëtare, siç janë Policia e Kosovës, AKI, KFOR-i, Shërbimi i Zjarrfikësve, Shërbimi i Emergjencës, Kulla e Aeroportit”, thuhet në komunikatë.

Telekomi shton se gjatë gjithë kësaj ne kemi kërkuar përkrahje nga ky ministër për të na mundësuar dhe lehtësuar procedurat e finalizimit të procesit të marrjes së një garancioni bankar për t’i financuar projektet më të rëndësishme për Telekomin e Kosovës, siç janë projektit për implementimin e Kodit Shtetëror, Ligjit për Përgjim si dhe mirëmbajtjen e tërësishme të platformave teknike.

Megjithatë, të gjitha këto sfida dhe vështirësi i kemi përballuar dhe tejkaluar me angazhim të përbashkët.

Telekomi i Kosovës ka përcaktuar synime dhe objektiva të qarta për vitin e ardhshëm, dhe besojmë se do të arrijmë t’i jetësojmë me përkushtimin e paçmueshëm të të gjithëve, duke përfshirë mbështetjen e nevojshme institucionale.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0