Ministri i Shëndetësisë me video-mesazh sensibilizues për koronavirusin

Ministri i Shëndetësisë me video-mesazh sensibilizues për koronavirusin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një video-mesazhi sensibilizues, ka treguar për masat institucionale që janë marrë dhe për ato që duhet t’i marrë secili person veç e veç për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

Mesazhi i plotë i ministrit Vitia:

“Të dashur qytetarë, Covid19 është një sëmundje infektive e shkaktuar nga një koronavirus i ri. Është shfaqur në shumë vende të botës dhe mund të shfaqet edhe te ne.

Ministria ka ndërmarrë një seri të masave për parandalimin dhe përgatitjen sa më të mirë për t’u ballafaquar me koronavirusin. Kemi hartuar dhe po zbatojmë planin e gatishmërisë dhe të reagimit kundër koronavirusit. Të dashur qytetarë, pavarësisht të këtyre përgatitjeve, për shkak të përhapjes së virusit, pjesëmarrja e juaj në zbatimin e masave mbrojtëse është po aq e rëndësishme sa edhe vet angazhimi institucional.

Virusi përhapet nga një person në tjetrin kryesisht përmes spërklave kur personi i infektuar flet, kollitet ose teshtin.

Kjo është arsyeja pse duhet shmangu kontaktet e afërta me persona të tjerë dhe ndryshuar rutinën e zakonshme.

Qëndroni larg ambienteve të mbipopulluara!

Nëse keni simptoma si ethe, kollë ose vështirësi në frymarrje, qëndroni në shtëpi dhe kërkoni ndihmën mjekësore. Virusi mund të përhapet përmes duarve të papastra, prandaj mos e prekni gojën, hundën apo sytë.

Shmangni edhe përshëndetjet e zakonshme dorë me dorë. Kur ju teshtini, mbulojeni gojën me faculetë apo me mëngën e dorës. Faculetën e përdorur, hidheni në shportën e mbeturinave. Mos harroni, mënyra më efikase për të parandaluar koronavirusin është higjiena personale. Pastroni sa më shpesh duart me sapun apo me dezinfektues me bazë alkooli për së paku 20-30 sekonda. Ne jemi të përgatitur për ta kaluar edhe këtë sfidë. Profesionistët tanë shëndetësorë, mjekët, infermierët dhe të tjerët po bëjnë punën e tyre.

Mos t’i pengojmë, por t’i përkrahim. Ata janë vija e parë e frontit dhe heronjtë tanë në situata të tilla.

Pa frikë, por me kujdes të shtuar. Të qëndrojmë shëndetshëm dhe së bashku.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0