Ministrat e NATO-s diskutojnë për FSK-në

Ministrat e NATO-s diskutojnë për FSK-në

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë rreth qasjes së Aleancës ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e kësaj force në ushtri
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se në rend dite të takimit ndërministror do të jetë edhe shqyrtimi i marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe FSK-së.

Stoltenberg tha gjithashtu se misioni i KFOR-it do të mbetet i pandryshuar, pasi që kjo forcë operon në bazë të Rezolutës 1244 të Këshilli të Sigurimit të OKB-së.
“Është e rëndësishme të bëjmë dallimin ndërmjet dy pranive të NATO-s në Kosovë. Misioni i KFOR-it nuk do të jetë i ndikuar. KFOR është atje tashmë 20 vjet dhe kontribuon në stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Ajo që ne do të vlerësojmë janë aktivitetet jashtë misioneve të KFOR-it që është një tjetër lloj i ndërtimit të kapaciteteve”, ka thënë Stoltenberg, i cili konfirmoi se gjatë këtij takimi nuk pritet të merren vendime konkrete.

Kreu i Aleancës Veriatlantike përsëriti se Kosova duhet të respektojë të gjitha obligimet ndërkombëtare përfshirë edhe marrëveshjen e Brukselit, e cila, sipas Stoltenberg, thotë se “FSK-ja nuk do të hyjë në veri të Kosovës pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it”.
Sipas agjendës së mbledhjes së ministrave të mbrojtjes, debati për Kosovën do të mbahet të enjten.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0