Ministra, prokuror e gjyqtar punësuan familjarët në KEDS

Ministra, prokuror e gjyqtar punësuan familjarët në KEDS

Njerëzit e fuqishëm të politikës, prokurorisë, gjykatave e policisë nuk e kanë lënë pa e shfrytëzuar ndikimin e tyre edhe në kompani private për punësimin e familjarëve dhe të afërmve të tyre.

Shumë zyrtarë të lartë të shtetit e shfrytëzuan kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji (KEDS), për punësime.

Për njerëzit e politikës monedhë kusuritje u bë edhe kompania KEDS që e privatizoi komplet rrjetin elektrik të Kosovës për një grusht para.

Në KEDS punon vëllai i njeriut kryesor të Policisë së Kosovës. Arbër Qalaj është vëllai i drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt, që mban një pozitë të çuditshme në KEDS, zyrtar i zyrës është vendi i punës që i përshkruhet.

Në një listë të të punësuarve që e ka siguruar Ballkani.info në KEDS kanë gjetur vend shumë fëmijë të funskionarve të lartë shtetëror, fëmijë të ministrave dhe të afërt të politikanëve.

KEDS-in e shfrytëzoi edhe ministri më jetë gjatë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Mahir Yagcilar. Elif Yagcilar është vajza e ish-ministrit që mban pozitën e inxhinieres në KEDS.

Në KEDS u punësua edhe ish asistentja e Blerand Stavilecit, ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, që kishte punë direkt me mbikëqyrje të kësaj kompanie sa ishte ministër.

Ish-asistentja e ministrit Florenta Islami ka pozitën e koordinatores regjionale për konsumator në KEDS.

Në KEDS punon edhe djali i njërit nga protagonistët e aferës “Pronto”. Gramoz Hyseni është djali i Bahri Hysenit, Kryetari i Këshillit Prokurorial. Gramozi mban pozitën e zhvilluesit të softuerit.

Bahri Hyseni ishte personazhi më qesharak në aferën “Pronto”, pasi i ishte siguruar një vend pune “pa konkuru fare”.

Në KEDS është punësuar edhe e bija e Agim Kurmehajt, Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës që ka afërsi me PDK-në dhe nënkryetarin e kësaj partie, Hajredin Kuçi, që mediat kishin botuar edhe fotografi nga afërsia e tyre.

Arjana Kurmehaj, në listën që e ka siguruar Ballkani.info, mban pozitën e juristes për përfaqësime në KEDS.

Edhe Hajdin Derguti është punësuar në KEDS në pozitën e juristit për përfaqësim. Hajdini është djali i Haxhi Dergutit që është prokuror në Prokurorin Speciale, e më herët kishte punuar në Prokurorin e Apelit.

KEDS e ka mohuar se këta njerëz janë punësuar me ndikime, por nuk kanë arritur të na japin sqarime të bollshme për datën e tyre të punësimit.

Këto punësime që janë bërë në KEDS kanë ndodhur nga koha e privatizimit e tutje.

“Fillimisht më duhet të sqaroj se KEDS gjatë punësimeve nuk e shikon kush kënd çka e ka e as që interesohet për këtë gjë. Ne kemi 2200 punëtorë dhe ata punojnë në KEDS se janë të kualifikuar, pra profesionist në sektorët e kompanisë ku punojnë. Pra, nuk na intereson kush çka është”, ka thënë në një përgjigje me shkrim për Ballkani.info Viktor Buzhala nga KEDS.

Ballkani.info do t’i botojë edhe emrat e tjerë të njerëzve të pushtetit që kanë ndikuar në punësimet e familjarëve të tyre në këtë kompani private, që janë avancuar nëpër pozita të rëndësishme fal fuqisë politike. /Ballkani.info/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0