Minatorët e Trepçës futen në grevë, s’u dolën pagat e janarit e shkurtit

Minatorët e Trepçës futen në grevë, s’u dolën pagat e janarit e shkurtit

Minatorët e Stan Tërgut dhe ata të Artanës, kanë hyrë sot në grevë për shkak që nuk janë paguar për punën që kanë bërë gjatë muajit janar dhe shkurt.

Kjo nuk është hera e parë që ata po futen në grevë, pasi probleme me paga kanë patur edhe më herët.

Edhe sot ata janë të vendosur se nuk do të ndalen derisa të marrin pagat e muajit janar e shkurt.

Lajmin për fillimin e grevës e ka konfirmuar për Gazetën Express, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Gani Osmani.

Ai ka thënë se ndërrimi i parë nuk ka filluar punën sot, derisa pret të njëjtën gjë ta bëjnë edhe ndërrimet tjera.

“Po shumë e vërtetë është që kemi hyrë në grevë. Ndërrimi i parë sot nuk ka punuar. Trepça i ka 750 punëtorë. Disa janë edhe në ndërrime tjera, dhe presim që edhe ata njëjtë të mos punojnë. Arsyeja është paga. Ne nuk kemi marrë paga për janar e shkurt, andaj të gjithë kanë hyrë në grevë, nuk do të punoj askush”, ka thënë ai,

Osmani ka deklaruar se ka buxhet të ndarë për pagat e tyre, por që minatorëve nuk po ju ndahen mjete.

Për këtë ai thotë se nuk do ta ndalin grevën derisa të paguhen për punën që kanë bërë.

“Mjetet për minatorët janë. Ne kemi kërkuar edhe prej menaxherit përgjigje për këtë. Kanë mundur të na transferojnë mjetet pasi mjetet janë të ndara, por nuk na janë transferuar. Atë moment që do të dalin mjetet ne do ta ndalim grevën”, ka thënë ai.

Për mos marrjen e pagës së janarit, minatorët e Trepçës kishin reaguar edhe në fillim të muajit shkurt, por që problemi i tyre nuk ishte zgjidhur, andaj edhe sot të pakënaqur ata kanë vendosur të hyjnë në grevë.

Kjo nuk është hera e parë që minatorët e Trepçës po hyjnë në grevë.

Kujtojmë që në fund të vitit të kaluar, Ndërmarrjes publike ‘Trepça’ i ishin bllokuar llogaritë nga përmbaruesit për shkak të borxheve të kësaj ndërmarrjeje ndaj operatorëve ekonomikë./Gazeta Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0