Minatorët e “Trepçë”-s sërish paralajmërojnë grevë

Minatorët e “Trepçë”-s sërish paralajmërojnë grevë

Qeveria e Republikës së Kosovës më 31 korrik ka themeluar grupin punues teknik për vlerësimin e të gjitha aseteve që janë në pronësi të ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, por ende asnjë takim i këtij grupi nuk është mbajtur. Pas vendimit të Qeverisë për themelimin e grupit punues, ishte potencuar se më së largu pas tre muajve do të duhet të jetë i gatshëm propozimi final për vlerësimin e të gjitha aseteve që janë në pronësi të ndërmarrjes shoqërore “Trepça” për Qeverinë.

Po më 13 korrik ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me Shyqyri Sadikun, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçë”-s dhe i Këshillit Grevist, patën nënshkruar një marrëveshje gjashtëpikëshe përmes së cilës nisej trajtimi i të gjitha kërkesave të minatorëve. Me anë të kësaj marrëveshje sindikata dhe ministri Lluka ishin pajtuar të ndërpritej greva e minatorëve në Stantërg. Kurse Fidaim Sahiti, i cili e përfaqëson Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik në këtë grup punues, kur është pyetur nëse është mbajtur ndonjë takim i këtij grupi, ai ka dhënë këtë përgjigje. “Grupi punues teknik për vlerësimin e të gjitha aseteve që janë në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore ‘Trepça’ Sh. A. ende nuk ka mbajtur takimin e këtij grupi për shkak se grupi punues teknik është formuar më 6. 9. 2018 dhe për një periudhë kaq të shkurtër nuk është e mundur të shqyrtohen çështjet sociale të ngritura nga Sindikata e Minatorëve të ‘Trepçë’-s”, ka thënë Fidaim Sahiti për gazetën “Epoka e re”.

Ndërkaq sa i përket emërimit të anëtarëve në grupin punues, ai ka thënë se ky grup do të përbëhet nga Shkumbim Asllani, këshilltar ligjor; Fidaim Sahiti, shërbimi gjeologjik i Kosovës; dy përfaqësues nga Sindikata e “Trepçë”-s, Halil Qela dhe Ramadan Ukaj; një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Gazmend Abrashi; dhe një përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës, Rea Kryeziu.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, ka konfirmuar për gazetën “Epoka  e re” se nuk kanë marrë zyrtarisht asnjë ftesë për takim në këtë grup punues. Ai ka thënë se në emër të minatorëve të “Trepçë”-s do t’i shkruajë ministrit të MZhE-së, Valdrin Lluka. Sa iu përket çështjeve sociale për të cilat më herët insistonin që të hyjnë në draftstatutin e “Trepçë”-s, ai ka thënë se tani janë të pajtimit që për çështjet sociale të bëhet një ligj i veçantë. “Ne ishim pajtuar të formohet grupi punues, ku njëri grup ishte paraparë për asetet e ‘Trepçës’-s, tjetri për çështjet sociale. Po ashtu, kërkonim që pika kryesore të ishte miniera e Zjaqës që është zonë e interesit të veçantë. Edhe për këtë ende nuk janë formuar grupet punuese dhe zyrtarisht nuk kemi marrë ndonjë shkresë”, ka deklaruar ai.

Sadiku ka thënë se në rast që në afatin e paraparë kohor nuk do të përmbushen kërkesat e tyre, atëherë ata do të hyjnë sërish në grevë. “Në rast se nuk përmbushen kërkesat tona, përsëri do të hyjmë në grevë. Apeloj te Qeveria që të bëjnë më shumë në këtë drejtim pasi çështjet politike janë duke ndikuar të zvarriten kërkesat tona”, ka thënë  Sadiku.

I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i “Trepçë”-s mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.

Kombinati metalurgjik “Trepça” gjendet në komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit. Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte të tjera.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0