Mijëra nënshkrime për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës për Ligjin e Pagave

Mijëra nënshkrime për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës për Ligjin e Pagave

Mijëra nënshkrime të punëtorëve të arsimit i ka mbledhur brenda 10 ditësh Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) përmes së cilëve po tenton ta kundërshtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga.

Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur ditë më parë dhe do të vazhdojë edhe javën e parë të janarit, shkruan Koha Ditore. Nënshkrimet, sipas kryetarit të SBASHK-ut, do të dorëzohen tek Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP). Ka thënë se presin që ky institucion t’i drejtohet Kushtetueses me kërkesën që të hiqet masa e pezullimit të Ligjit për Paga.

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk është përgjigjur se si do të veprojë pas dorëzimit të nënshkrimeve nga Sindikata e Arsimit. Nga ana tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka theksuar se kjo iniciativë për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka bazë ligjore.

Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim ta pezullojë Ligjin për Paga deri në muajin mars. Kjo për shkak se Institucioni i Avokatit të Popullit i ishte drejtuar Kushtetueses duke kërkuar interpretim për Ligjin e Pagave meqë kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik ndaj këtij ligji..

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0