Mblidhet Komisioni për Buxhet, vërejtje ndaj RTK-së lidhur me shpenzimet

Mblidhet Komisioni për Buxhet, vërejtje ndaj RTK-së lidhur me shpenzimet

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka mbajtur sot mbledhje në mënyrë elektronike, nga distanca, në të cilën janë shqyrtuar programi i shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për periudhën prill-qershor 2020 dhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) 2021 – 2023 të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Komisionit, Hekuran Murati, i cili kryesoi mbledhjen, theksoi se në bazë të Ligjit të Buxhetit për vitin 2020, RTK-ja i ka dërguar Kuvendit Programin e shpenzimeve për tremujorin e dytë të këtij viti, por nuk ka dërguar raportin për tremujorin e parë, me arsyetimin se për shkak të situatës pandemike, nuk është arritur të mblidhen të gjitha faturat, e për rrjedhojë ende nuk është arritur të përgatitet raporti i plotë.

Gjatë mbledhjes, u dhanë vërejtje lidhur me disa shpenzime të planifikuara nga ana e RTK-së.

Duke pasur parasysh mungesën e raportit financiar dhe nevojën për transferin e mjeteve, komisioni vendosi dhe i rekomandoi Ministrisë së Financave, përkatësisht Drejtorit të Thesarit, që të bëjë transferimin e mjeteve buxhetore për RTK-në për periudhën prill – maj 2020.

Njëkohësisht komisioni kërkoi nga RTK-ja që deri më 22 maj të dërgojë në Kuvend raportin financiar të shpenzimeve për tremujorin e parë të vitit 2020.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendi të Kosovës për periudhën 2021 – 2023, të cilën e prezantoi sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Gjatë fjalës së tij, sekretari Krasniqi tha se kërkesat buxhetore të Kuvendit për këtë periudhë janë brenda kufijve të përcaktuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve.

Pas diskutimeve dhe sqarimeve përkatëse, komisioni përkrahu KASH-in e Kuvendit dhe i rekomandoi Kryesisë miratimin e saj.

Nga Ministria e Financave, ndërkaq, kërkohet që e njëjta të përfshihet në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kosovës për periudhën 2021 – 2023.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0