Mbi dy mijë veta u larguan nga lista e veteranëve

Mbi dy mijë veta u larguan nga lista e veteranëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se mbi 2.100 persona janë larguar nga lista e përfituesve të pensioneve si veteranë. Megjithatë, në departamentin e familjes së dëshmorëve dhe invalidëve të luftës është mohuar kjo shifër, derisa është thënë se deri tani asnjë person nuk është larguar nga kjo listë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë për KosovaPressin se lista e veteranëve të UÇK-së, duhet të pastrohet dhe një proces i tillë tashmë ka nisur, pasi që nga kjo listë, në bazë të dhënave të kësaj organizate, mbi dy mijë persona janë larguar.

Sipas tij, largimi dhe pastrimi i listës po bëhet në heshtje, me qëllim që mos të ngjallen reagime e protesta.

Madje ai thotë se Gjykata e Pejës ka dënuar mbi 40 persona, pasi janë vërtetuar se në mënyrë të kundërligjshme i kanë marrë pensionet.

“Në bazë të asaj që është marrë në terren, është reale, ne e dimë se janë mbi 2100 veta, ne e dimë këtë shifër. Por mua derisa më thotë drejtori se nuk janë larguar, tash a duan ta mbajnë sekretin e vetë për arsye se nuk duan të bëjnë dridhje në opinion dhe mos të dalin veteranët në rrugë. Është reale që asnjë veteran nuk ka bërë ankesë, unë e di që janë larguar, është rasti në Pejë ku kanë kthyer dhe mjete, janë dënuar duke i kthyer mjetet. Janë mbi 40 persona në Pejë që janë dënuar, nën hetime janë mbi 7 mijë, edhe mbi 40 janë larguar dhe janë dënuar me kusht mbi 6 muaj deri 1 vit. Edhe kanë me i kthyer pagat që i kanë marrë. Kjo është reale nuk mund ta mohojë as Hysni Gucati dhe as institucionet e vendit”, theksoi Gucati.

Kryetari i OVL-UÇK-së, thekson se vetëm nga territori i Shqipërisë, nga lista e përfituesve të pensionit për veteran janë larguar 400 persona.

“Është reale që në territorin e Shqipërisë mbi 400 veta janë larguar, kjo është reale se janë ardhur janë ankuar disa nga Shqipëria. Bëhen edhe ankesa banale, duke thënë se kam mbajtur një familje kosovare. Kjo është reale… Ne shumë shpejt do të shkojmë në Shqipëri, do të takohemi me ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të marrim informacione për ata që marrin paga në territorin e Shqipërisë që janë veteranë dhe marrin paga në territorin e Shqipërisë. Do jetë ligji i barabartë për të gjithë me veteranët e Kosovës”, thotë kryetari i OVL-UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në departamentin e familjes së dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, Bahri Xhaferi thotë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë listë të re, e cila tregon që ndonjë përfitues i pension veteran është larguar nga lista për pensione.

Ai madje thotë se numri i atyre që marrin pensione gjatë vitit 2019, ka qenë konstant dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim, duke qenë diku kah mbi 38 mijë përfitues.

Xhaferi thotë se janë në pritje të vendimeve të proceseve gjyqësore, që janë duke zhvilluar nëpër territore të ndryshme të Kosovës.

“Sigurisht që nuk qëndron se ne ende si Departament i Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës nuk kemi marrë kurrfarë regjistri të përfituesve të pensioneve për veteranë, e të cilët janë larguar nga lista për pagesë. Numri i tyre është konstant gjatë viti 2019 duke rreth 38 mijë, me të njëjtën kemi vazhduar edhe në muajin janar, besoj që edhe në muajin shkurt nuk do ketë ndonjë ndryshim esencial një numër shumë i vogël simbolik. Kështu që nuk ka të bëjë fare me realitetin ai informacion që janë larguar mbi 2 mijë veteranë bazuar në një procedurë nuk e di se çfarë. Jeni dëshmitarë të kohës që ka procese gjyqësore që po bëhen në institucionet përkatëse gjyqësore, po presim vendimet e tyre, në momentin që i marrim vendimet meritore ne do bëjmë veprimin adekuat ligjor”, deklaroi Xhaferi.

Madje ai mohon se janë larguar nga lista e pensioneve edhe përfitues nga Shqipëria, derisa thotë se mbi 2700 banorë të Shqipërisë e gëzojnë këtë pension.

KSP ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria në Pejë lidhur me rastet që janë duke u trajtuar në kuadër të “Dosjes së Veteranëve të Rrejshëm”, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.

COMMENTS

WORDPRESS: 0