Mbi 20 mijë njerëz më 23 nëntor në protestë kundër ngritjes së çmimit për sigurimin e veturave

Mbi 20 mijë njerëz më 23 nëntor në protestë kundër ngritjes së çmimit për sigurimin e veturave

Mbi 20 mijë persona pritet që me datë 23 nëntor të protestojnë në mënyrë paqësore, për rritjen e çmimeve të sigurimit të veturave, shkruan Gazeta Metro.

Nga data 15 nëntor qytetarët do të paguajnë 26% më shtrenjtë për sigurimin e veturave, vendim i cili është marrë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Çmimet e veturave rriten sipas centimetrit kubik, nga më e ulëta deri te më e larta.

Si shembull, për veturat prej 0 deri në 750 centimetër kubik që aktualisht paguhet 59 euro, çmimi do të rritet në 74.71 euro. Ndërkaq, tarifa më e lartë, që vlen për veturat mbi 2701 centimetër kubik, e cila është aktualisht 247.80 euro, ndërkaq çmimi i ri do të jetë, 313.78 euro.

Ndërkaq Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, e cila përfaqëson kompanitë e sigurimeve në Kosovë, kishte kërkuar që tarifat për sigurim të detyrueshëm të automjeteve të jenë jo 26, por 36 për qind më të shtrenjta, mirëpo kjo kërkesë u refuzua nga BQK.

E të shtunën me 23 nëntor, mbi 20 mijë anëtarë të grupit ‘SpeedomaniaKS’ në Facebook, pritet që të dalin në protestë paqësore, kundër ngritjes së çmimit për sigurimin e veturave.

Personat përgjegjës të këtij grupi dhe njëkohësisht organizuesit e kësaj proteste, kanë konfirmuar për Metron se me datë 23 nëntor mbahet protesta para BQK’së në Prishtinë.

“Të shtunën me datë 23 në ora 16.00, mbahet protesta para BQK’së, në rrugën Luan Haradinaj dhe rrugën Garibaldi, si revoltë kundër ngritjes së çmimeve të sigurimeve”, ka thënë kryesorët e grupit SpeedomaniaKs për Metron.

Tutje ata kanë bërë të ditur se sot kanë bërë kërkesë tek Komuna e Prishtinës dhe Policia e Kosovës, që kjo protestë të mbahet të shtunën dhe se në këtë protestë pritet të jenë të pranishëm rreth 20 mijë anëtarë të grupit ‘SpeedomaniaKs’. /gazetametro/

COMMENTS

WORDPRESS: 0