Lumezi: Sa herë që zyrtarët shkelin ligjin do të përballen me drejtësinë

Lumezi: Sa herë që zyrtarët shkelin ligjin do të përballen me drejtësinë

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, në konferencën vjetore të prokurorëve ka thënë se hetimi dhe ngritja e aktakuzave ndaj zyrtarëve shtetëror më 2018 ka treguar përkushtimin për të luftuar këtë dukuri.

Ai ka shtuar se prokuroria e shteti nuk është e ndikuar nga askush.

“Vitin e kaluar kemi treguar efikasitet të lartë, 75 mijë dosje penale të natyrave të ndryshme, janë zgjidhur 91 për qind të rasteve. Gjatë 2018 kemi treguar performancë të mirë dhe në trajtimin e lëndëve të korrupsionit dhe krimit. Kemi zgjidhur 106 për qind të rasteve të pranuara, kemi akuzuar 588 persona korrupsion dhe kemi ngritur 11 aktakuza. Më 2018 kemi dhënë kontribut edhe në luftën e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Asnjë shtetas i Kosovës nuk i bashkuar vatrave të luftërave të huaja gjatë vitit të kaluar. Korrupsioni e bën gjyqësorin joefikas, pengon sundimin e ligjit. Prokuroria ka shënjestruar 48 rate të korrupsionit në nivel të lartë. Fakti që janë hetuar dhe janë siguruar prova për ngritje të akteve akuzave ndaj deputetëve, drejtorëve, komisionit qeveritarë për veteranët ë luftës e të tjerëve, tregon përkushtimin e prokurorisë. Me këto veprime u kemi dhënë sinjale zyrtarëve që sa herë shkelin ligjin duhet të jenë të përgatitur të përballen me drejtësinë”, tha Lumezi, raporton KTV.

Ai, gjithashtu ka bërë thirrje që rastet e konfiskimit të pasurive të paligjshme të trajtohen me prioritet sepse çelësi i luftimit të korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Kritikat e justifikuara ndaj nesh i kemi marrë me prioritet, por ato të pajustifikueshme nuk i kemi marrë parasysh. Duhet të tregojmë se prokuroria nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi”, tha Lumezi.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka thënë se nevojitet përkushtim më i madh për të përmirësuar efikasitetin e sistemit prokurorial dhe arritjen e rezultateve më të mëdha.

“Kpk do të fokusohet në rishikim të pakos së akteve nënligjore të këshillit dhe do të këtë rol në rishikimin e sistemit të drejtësisë. Do të jemi në përballje me ata qe ndërmarrin sulme me qëllim të denigrimit dhe të cenimit sistemit prokurorial. Përkundër rezultateve të larta, rruga jonë kërkon përkushtim dhe sakrificë më të madhe. Orientimi ynë do të jetë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale”.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka thënë se vazhdojnë të përballen me sfida vështirësi. Ai ka adresuar kritika për dënimet vetëm me kusht në rastet kur vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer vepra korruptive.

“Përballemi me sfida dhe probleme. Lëndët e grumbulluara, qytetarët që presin me vite për një lëndë. Nuk mjafton të reagojmë vetëm gojarisht nëse vërtetohet se nje vepër e korrupsionit është kryer dhe jepen dënime me kusht. S’mund të lejojmë më tutje trajtim te pabarabartë të qytetarëve. Do te përpiqem që te kujdesem për zbatimin unik te ligjeve. Është koha e fundit që të sigrojmë për qytetarët drejtësi të mirëfilltë”, ka thënë Peci.

Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së, Riccardo Serri, ka inkurajuar sistemin gjyqësor dhe prokurorial që te vazhdojë punën në luftimin e korrupsionit, derisa u ka rikujtuar atyre sa e rëndësishme është kjo në procesin e liberalizimit të vizave.

“Mungesa e legjislacionit, mungesa e burimeve te mjaftueshme financiare, mungesa e stafit mbështetës për hetime. Jemi ne dijeni për gjerat qe pengojnë efikasitetin e punës qe bëni. Është bërë pak efikasitet muajt e kaluar, kjo ka të bëjë me legjislacionin. Mund te cek ligjin për prokurorinë shtetërore që është miratuar, ligji për konfiskimi dhe kodi penal. Kemi disa zhvillimi në luftën kunder korrupsionit, është me rendësi që të vazhdohet këto zhvillime sepse e dini rëndësinë e tyre në procesin e liberalizimit të vizave”.

Presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk kanë marrë pjesë në konferencën e prokurorëve, ndonëse kanë qenë pjesë e agjendës se konferencës.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0