Limaj: SHBA-ja kërkon pezullim të taksës, e përkushtuar për arritje të shpejtë të marrëveshjes me Serbinë

Limaj: SHBA-ja kërkon pezullim të taksës, e përkushtuar për arritje të shpejtë të marrëveshjes me Serbinë

Fatmir Limaj pas takimit me njerëzit e administratës së Trump-it është zbutur në qëndrimin për taksën ndaj produkteve serbe, duke e lënë kryeministrin Ramush Haradinajn të vetmin që insiston në mbajtjen e taksës.
Dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator të krijuar me platformë të Kuvendit, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, janë takuar me delegacionin amerikan sot në zyrën e presidentit Hashim Thaçi.

Limaj në Facebook ka shkruar se delegacionit amerikan u ka thënë se po punojnë që të unifikojnë qëndrimin rreth taksës, në mënyrë që të mundësohet fillimi i dialogut, duke marrë parasysh këshillat e amerikanëve, transmeton Gazeta Express.

“Shfrytëzova rastin për thënë se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror dhe tashmë është e qartë se ka këndvështrime të ndryshme rreth kësaj teme. I sigurova që po punojmë fuqishëm që institucionet e Kosovës rreth kësaj çështjeje të kenë një qëndrim unik i cili do t’i mundësonte edhe fillimin e dialogut duke marrë parasysh këshillat e miqve tanë amerikanë”, shkruan ndër të tjera Limaj.

Dihet se këshillat e amerikanëve janë që taksa të hiqet, ndërsa ky është edhe kushti që Serbia ka vënë për ta vazhduar dialogun.

Postimi i plotë i Limajt:

Sot në zyrën e presidentit, ne si Delegacion Shtetëror për Bisedime me Serbinë, u takuam me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley,

Unë shfrytëzova rastin që dy zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë t’i njoftoj për punën e deritanishme të Delegacionit Shtetëror, për parapërgatitjet që po i bëjmë për dialogoun e mundshëm me Serbinë.

Njoftova për përgatitjen e platformës për bisedime e cila, pas miratimit nga ana e institucioneve, është proceduar në Kuvend dhe shpresoj që Kuvendi i Kosovës të diskutojë dhe votojë këtë platformë e cila do ta paraqesë qëndrimin zyrtar të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë.

Gjithashtu shpreha shqetësimin tonë për sjelljen e shtetit serb në raport me Kosovën, ndërhyrjen që çdo ditë Serbia i bën në Kosovë dhe ndaj qytetarëve të Kosovës, pengesat që i bën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përmendëm arsyet që na kanë detyruar ta marrim vendimin për taksën.

Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve.

Shfrytëzova rastin për të thënë se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror dhe tashmë është e qartë se ka këndvështrime të ndryshme rreth kësaj teme. I sigurova që po punojmë fuqishëm që institucionet e Kosovës rreth kësaj çështjeje të kenë një qëndrim unik i cili do t’i mundësonte edhe fillimin e dialogut, duke marrë parasysh këshillat e miqve tanë amerikanë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0