Limaj: Përgjegjësinë pse po ftohen ish-ushtarët e UCK’së në Hagë e kanë ata që e kanë votuar Specialen

Limaj: Përgjegjësinë pse po ftohen ish-ushtarët e UCK’së në Hagë e kanë ata që e kanë votuar Specialen

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që marrin ftesë nga Gjykata Speciale, të përgjigjen, dhe të kryejnë obligimin para ligjit. Derisa, ka thënë se përgjegjësinë se pse po ftohen ish-ushtarët e UCK’së në Hagë e kanë ata që e kanë votuar Specialen, shkruan Express.

Ish-komandant Çeliku në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se derisa Gjykata Speciale veç ka filluar punën me lëshimin e ftesave për disa persona në Kosovë, Fatmir Limaj thotë se nuk duhet befasuar tani me veprimet e kësaj gjykate.

Limaj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që marrin ftesë nga Gjykata Speciale, të përgjigjen, dhe të kryejnë obligimin para ligjit. Thotë se është i sigurt që edhe nga procesi i Gjykatës Speciale do të dilet ashtu siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Derisa, ka deklaruar se përgjegjësinë se pse po ftohen ish-ushtarët e UCK’së në Hagë e kanë ata që e kanë votuar Specialen.

“Unë çuditem nëse dikush ndjehet i befasuar nga veprimet e Gjykatës Speciale, atëherë kur është votuar është votuar për këtë punë. Ata që e kanë votuar marrin përgjegjësinë e vetë votimit të saj, unë e kam dhënë mendimin tim në kohën e duhur, që është e padrejtë forma dhe mënyra, por tani jemi para kësaj, Parlamenti i Kosovës e ka votuar. U bëj thirrje krejt njerëzve kënd do qe e fton Gjykata Speciale t’i përgjigjet, e ka obligim t’i përgjigjet ligjit”, ka thënë Limaj për Kosovapress.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara dhe Prokurori Special u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Sylejman Selimi është emri i 10-të i konfirmuar me burime nga Gazeta Express, i ish-pjesëtarëve të UÇK-së që në janar të vitit të ardhshme do të udhëtojnë në Hagë, pas thirrjeve për intervistim që u ka bëra Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën.

Përveç ish-komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Specialja deri më tash, nga figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ftuar për intervistim edhe ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake dhe disa ish-komandantë të njohur zonash operative të Drenicës dhe Llapit.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0