Ligji për Qeverinë në mars, pritet zvogëlimi i numrit të ministrive

Ligji për Qeverinë në mars, pritet zvogëlimi i numrit të ministrive

Në fund të marsit të këtij viti Qeveria e Kosovës pritet të bëhet me ligj. Si rezultat i këtij ligji pritet të bëhet edhe zvogëlimi i numrit të ministrive në Qeverinë e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i Komisionit për Hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri, transmeton KP.

Pas takimit të grupit punues të këtij komisioni, Tahiri njoftoi se kanë bërë prezantimin e gjetjeve nga studimet të organizatave të ndryshme jo-qeveritare, diskutimi mbi të gjeturat e tyre, dhe hapat e ardhshëm për procesin e hartimit të projektligjit për Qeverinë.

Tahiri theksoi se vëmendje të veçantë në këtë takim kanë marrë dy tema, ajo e kufizimit të numrit të ministrive si dhe aspekti krahasimor të shteteve të rajonit.

“Ne kemi ligj për gjithçka, por nuk kemi ligj për Qeveri, në këtë kuptim ne i diskutuam dy çështje kryesore: Në detaje e diskutuam aspektin e kufizimit të numrit të ministrive… e trajtuam aspektin krahasimor të shteteve të rajonit, i prezantuar nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim…Qeveria e Kosovës e ka marrë me seriozitet të madh hartimin dhe miratimin e këtij ligji deri në fund të marsit. Po ashtu jemi duke trajtuar aspektin juridik dhe kushtetues të sanskionimit të numrit të ministrive në këtë ligj për shkak se ky ligj duhet të sanksionojë numrin e ministrive. Po ashtu jemi duke e trajtuar aspektin e funksionalitetit që lidhet me numrin e te punësuarve që lidhet me buxhetin dhe efikasitetin e Qeverisë”, tha Tahiri.

Ai bëri të ditur se Qeveria do ta vendosë këtë ligj me konsultim paraprak me Shoqërinë Civile, do ta bëjë një analizë krahasuese dhe do të prezantojë deri në fund të marsit këtë draft-para kabinetit të Qeverisë.

Deri më tani përbërja e qeverive të Kosovës ka qenë me numër të madh të ministrive e zëvendësministrave, duke qenë ndër më të mëdhatë në Evropë. Qeveria aktuale e drejtuar nga Haradinaj ka 21 ministri dhe mbi 70 zëvendësministra.

COMMENTS

WORDPRESS: 0