Liderët përkujtojnë Reçakun

Liderët përkujtojnë Reçakun

Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka bërë homazhe në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të Masakrës së Reçakut, e cila ndodhi më 15 janar 1999.

Haradinaj ka vlerësuar se kjo masakër shënoi momentin vendimtar të kthesës në luftën e Kosovës për liri.

“Dy dekada më parë, një akt çnjerëzor tronditi ndjenjat e botës demokratike dhe mobilizoi Perëndimin, që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, dëshmia e krimit gjenocidal në Kosovë, shënoi momentin vendimtar të kthesës në luftën dhe përpjekjet tona për liri dhe pavarësi. Sot, në nderim të dëshmorëve e martirëve kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me pietet dhe respektin më të thellë, përjetë do t’i kujtojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë, që me flijimin e tyre u bënë gurthemel i lirisë sonë”, shkruan Haradinaj, përcjell KosovaPress.

Edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka kujtuar masakrën e Reçakut me rastin e 20 vjetorit të saj.

Limaj ka thënë se kjo masakër është dëshmia më e mirë se cili ishte plani i Serbisë për shqiptarët.

“20 vite me parë, në Reçak forcat policore serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë, e cila tronditi edhe opinionin ndërkombëtar. Në këtë ditë kujtojmë me pitet dhe krenari 45 qytetarë burra e gra, fëmijë e të moshuar të cilët u masakruan barbarisht nga ana e forcave serbe. Masakra e Reçakut është dëshmia më e mirë se cili ishte plani i shtetit serb për shqiptarët. Ata synonin shfarosjen, shkatërrimin dhe largimin e njerëzve tanë nga vendi ynë”, shkruan Limaj, përcjell KosovaPress.

Ai ka kujtuar edhe ambasadorin Willian Wallker.

“Shqiptarët do t’i jenë përgjithmonë falënderues ambasadorit William Walker i cili sensibilizoi botën për krimet që po kryenin serbët mbi njerëzit e pafajshëm në Kosovë. Masakra e Reçakut mobilizoi botën demokratike për t’i dal në krah Kosovës. Kosova do t’i nderoje dhe kujtoj përgjithmonë dëshmoret dhe martirët jo vetëm të këtij brezi, por edhe të brezave të mëhershëm”, shprehet ai.

Limaj në fund ka shprehur lavdi për gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar të rënët në masakrën e Reçakut, në 20 vjetorin e kësaj ngjarjeje të tmerrshme.

“Sot 20 vjet më parë, banorët e Reçakut u zgjuan të rrethuar nga forcat e regjimit serb dhe 45 banorë të pa armatosur të këtij fshati u masakruan pamëshirshëm po të njëjtin mëngjes. Të nesërmen, shefi i misionit të OSBE-së William Walker, pas një vizite nga afër, kishte deklaruar, ‘Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit!’ 15 janari i vitit 1999 është ndër ditët më të rënda, të njërit nga vitet më të rënda, të historisë së Kosovës. Kjo ditë, poashtu, i paraqiti botës fytyrën e vërtetë të regjimit të Millosheviqit dhe planeve të tij fashiste, duke shënuar kështu kthesën e madhe të qasjes së komunitetit ndërkombëtar ndaj këtij regjimi që rezultoi në bombardimet e NATO-s 78 ditë rresht. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka thënë Mustafa.


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka thënë se Reçaku është sinonim i fatit historik për shqiptarët si komb, sinonim i çmimit të lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

“20 vite më parë ne gjetëm forcë, që dhembjen ta kthejmë në mobilizim për ta vazhduar deri në fund rrugën e lirisë. Sot ne jemi po aq të përkushtuar ta jetojmë të sotmen, duke punuar për të ardhmen e sigurt dhe krenare të kombit tonë. Kemi për çka te ndihemi krenarë”, theksoi ai, pasi bëri homazhe në Kompleksin Memorial në këtë fshat.

Më tej Veseli ka thënë se mbi institucionet e Kosovës qëndron obligimi që reflekton sakrificat e së kaluarës dhe ëndrrat për të ardhmen, “për ta ndërtuar një Kosovë, siç e deshën heronjtë e Reçakut, të Prekazit e të gjithë Kosovës, siç e duan fëmijët tanë, e kjo është Kosova me sundim të ligjit, me zhvillim ekonomik, me jetë cilësore të qytetarëve tanë, pa korrupsion dhe forma të diskriminimit, pa krime që cenojnë jetën e qytetarit, të policit apo ushtarit tonë”.

“Sot mund të mos jemi ende në gjendje për të vënë para drejtësisë ata që bënë masakrën e Reçakut, të Mejes, Rezallës, Studimes, Krushës, Prekazit, Suharekës, e që adresë dhe strehë e kanë Serbinë. Por, sot kur po flasim për dialogun e shumëpërfolur të muajve të fundit, as në Beograd më nuk po flitet për idenë e rikthimit të Serbisë në Kosovë. Në Beograd tani po flitet për formën se si Serbia ta njoh shtetin e Kosovës. Serbia është dëbuar, për të mos u kthyer kurrë më në Kosovë dhe meritat për këtë i keni ju qytetarë të pathyeshëm të Reçakut, i ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mbarë kombi ynë. Ndërsa, garancë, nga 15 dhjetori i vitit të kaluar është Ushtria e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Duke folur për dialogun me Serbinë, ai tha se sfida e këtij ballafaqimi kërkon bashkim të spektrit politik të Kosovës.

“Sovraniteti i shtetit, integriteti territorial dhe institucional janë vlera të shenjta për ne, prandaj edhe të paprekshme. Ne hyjmë në dialog për ta finalizuar shtetndërtimin ndërkombëtar të Kosovës, për ta marrë njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka shtuar ai.

Po ashtu Veseli foli edhe për fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

“Ne nuk kemi frikë nga ky ballafaqim. As nuk ikim prej tij. Ne do ta paguajmë edhe këtë çmim dhe si gjithmonë kemi me dalë faqebardhë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë, është e do të mbetet krenaria më e madhe e popullit tonë”, ka deklaruar Veseli.

Ndërkaq, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, tha se kjo masakër është njëra ndër më të këqijat ndaj njerëzimit.

Ai po ashtu bëri të ditur se me 21 janar do të filloj procesi i tranzicionit të ushtrisë.

“Që nga ky vit, besoj prej 21 janarit do të fillojmë me procesin e tranzicionit do të kemi ushtrinë tonë e cila do të jetë e gatshme dhe do të ndërtoj kapacitetet e plota se si do t’i mbrojë qytetarët dhe vendin tonë”, tha ai.

Në homazhe ishte i pranishëm edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje. I pari i kësaj partie, Albin Kurti tha se drejtësia është aq e vonuar sa ende nuk ka filluar. Sipas tij për këtë masakër nuk është gjykuar asnjë polic apo ushtarak serb.

Kurti përsëriti se Gjykata Speciale është e padrejtë, ku theksoi se Kosova ka nevojë për Gjykata vendore që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Edhe sot e kësaj dite as drejtësia vendore, as ajo ndërkombëtare nuk kanë vepruar për t’i vënë prapa grilave ata kriminelë të cilët goditën në mënyrë më mizore popullsinë civile të pambrojtur dhe pa armatosur. Gjykata speciale është e padrejtë sepse është një etnike dhe i dedikohet UÇK-së që ka bërë luftë të drejtë, ne kemi nevojë për gjykata normale, që gjykojnë krimet e paqes të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shtoi Kurti.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0