Letra qesharake e LIMAK-ut: “Punëtorëve ua paguajmë ujin e pijshëm, çajin e kafen”

Letra qesharake e LIMAK-ut: “Punëtorëve ua paguajmë ujin e pijshëm, çajin e kafen”

Sindikata e Pavarur e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me 13 mars të këtij viti i kishte nisur një shkresë menaxhmentit të Limak-ut lidhur me raportimet e punëtorëve për shkelje të të drejtave të tyre në vendin e punës.

Shkresa e Sindikatës përmban të gjitha shkeljet e pretenduara nga Limak ndaj punëtorëve, përfshirë dënimet e rënda deri në 16 mijë euro për një punëtor, si dhe kërkesat për kompensimin e rrezikut në punë dhe pagesat për përvojën e punës.

Buletini Ekonomik ka siguruar letërkëmbimin mes Sindikatës dhe LIMAK, ku në përgjigjën e kësaj të fundit me 22 mars kompania turke nuk merr parasysh asnjërën prej kërkesave të sindikatës.

Në një letër dy faqëshe, Limak mohon të gjitha pretendimet e ngritura të Sindikatës për shkelje të te drejtave të punëtorëve.

Madje, menaxheri i Burimeve Njerëzore, Xhevat Parduzi, nënshkrimi i të cili figuron në letrën e Limak, shkon edhe më larg duke përmendur, sipas tij, luksin që kompania turke ua ofron punëtorëve.

“Kemi siguruar furnizim të rregullt falas me ujë të pijshëm, çaj, kafe dhe pije tjera për të gjithë të punësuarit”, thuhet në letrën e Limak.

Ndër të tjera, aty Limak i kërkon Sindikatës që t’i kthehen dialogut social duke mohuar paraprakisht të gjitha pretendimet e tyre.

Ndryshe ndër kërkesat eSindikatës janë kompensimi dhe beneficione tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.

Kreu i Sindikatës, Bashkim Latifi, ka thënë se krahas shkeljeve të shumta që po u bëhen punëtorëve të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, LIMAK për gabimin më të vogël po dënon punëtorët deri në 16 mijë euro.

Ndryshe dhjetëra punëtor sot kanë protestuar para terminalit të Aeroportit. /Buletini Ekonomik/

COMMENTS

WORDPRESS: 0