LDK pjesë e Qeverisë? Çfarë thotë Haradinaj

LDK pjesë e Qeverisë? Çfarë thotë Haradinaj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili është zgjedhur kryeministër pas një koalicioni me PDK-në, AKR-në e NISMA-n, ka thënë se do ta diskutojë me partnerët e koalicionit mundësinë e përfshirjes në Qeveri pas deklaratës së Isa Mustafës i cili tha se partia e tij do të bëhej pjesë e qeverisë nëse ka një rikonfigurim të qeverisë dhe institucioneve.

“LDK-ja është e mirëseardhur me marrë përgjegjësi në vend. Sa i përket qeverisjes unë skam drejt me e dhanë një mendim të tillë, sepse jam në koalicion dhe do të konsultohem me partnerët e koalicionit se çka mendojnë për një opsion të tillë”, ka thënë Haradinaj para mediave pas mbledhjes së Qeverisë.

Sa i përket deklarimeve të Isa Mustafës se LDK-ja do të përfshihet në dialogun me Serbinë, nëse rikonfigurohet Qeveria, Haradinaj ka thënë se kreu i LDK-së duhet të sqarojë mirë çfarë ka nënkuptuar.

“Ai e din cka ka dashtë me thanë. Mundet me na ndihmuar me naj shpjegim se zor me e paragjykua kështu”, ka thënë kreu i ekzekutivit, raporton Gazeta Express.

Sipas tij është e rëndësishme që LDK-ja të gjej një rrugë për përfshirje në dialogun me Serbinë.

“Është me rëndësi që LDK-ja ta gjejë një formulë, mos të mungojë roli i LDK-së në procese nacionale, këtu e kam fjalën për dialogun. Pra është pak e habitshme mos ardhja në tavolinë. Nëse LDK-ja është kundër korrigjimit të kufijve, hiq Lutfi Hazirin, që ka dalë ndryshe e u bo që LDK-ja më folë me dy zana. Sikur ata të ishin ardhur në tavolinë, ishin ardhë ata që janë kundër korrigjimi të kufirit”, është shprehur i pari i Qeverisë.

Haradinaj ka thënë se nëse vazhdojnë me këto qëndrime, edhe LDK-ja edhe Vetëvendosje, mënyrën e vetme për të ndalë proceset do t’i kenë protestat.

“Duke qëndruar larg, e materialet finalizohen, atëherë mënyra e vetme e kundërshtimit mbetet rruga. Nuk është kërkesa e ime që LDK e VV me ardhë në dialog për me i konsumu. Kërkesa është me i ndihmua institucionet e Kosovës për vitet që vijnë në vazhdim”, ka përfunduar kryeministri Ramush Haradinaj.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0