LDK: Nuk e votojmë buxhetin

LDK: Nuk e votojmë buxhetin

Kryeministri Haradinaj beson se LDK do t’ia votojë buxhetin, ndërsa partia e Isa Mustafës e quan “maskaradë” projektligjin që shefi i Qeverisë planifikon ta nxjerr në votim në një seancë të jashtëzakonshme javën e ardhshme.
Kryeministri Ramush Haradinaj mban shpresa se Lidhja Demokratike do ta votojë projektligjin për buxhetin. Mirëpo, LDK deklarohet prerazi kundër votimit të tij.

Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka thënë për Gazetën Express se koalicioni qeverisës po bën pazare me Partinë Socialdemokrate, duke shfrytëzuar buxhetin e shtetit, dhe se janë kategorikisht kundër votimit të projektligjit, duke e cilësuar si maskaradë situatën e krijuar.

“LDK nuk e voton buxhetin. Fatkeqësisht, koalicioni PAN po e përdor buxhetin e qytetarëve për pazare politike me PSD-në, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet. Me këto pazare politike vetëm sa zgjatet agonia institucionale që ka kapluar vendin. LDK-ja nuk bëhet pjesë e kësaj maskarade, e cila duhet marrë fund sa më parë”, thënë Mustafa, duke cituar qëndrimin e shprehur më parë nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti.

Mustafa thotë se LDK pret që Qeveria të bie sa më shpejt, në mënyrë që, sic shprehet ai, të ndalen dëmet që po i shkakton.

E, kryeminsitri Haradinaj beson se opozita do ta ndihmojnë miratimin e projektligjit të buxhetit për vitin 2019.

Ai, përvec se thotë që buxhetin do t’ia votojë PSD’ja sepse kësaj të fundit po ia plotëson kushtet e vëna, beson që edhe LDK ka arsye që do ta cojnë në votimin e projektligjit.

“Besoj po, do të jetë edhe LDK’ja. Ata kanë arsye tjera për shkak se deputetët e tyre kanë propozuar amandamente për temat që i kanë me rëndësi, ose për komunat ku qeverisë LDK”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për syri.net.

“Besoj se do ta votoj LDK’ja buxheti, është reale. Ata e bëjnë për amandamentet e veta, nuk e bëjnë për shkak të qeverisë, të Aleancës apo timin si kryeministër”, ka shtuar kreu i Qeverisë.

Haradinaj ka thënë se të enjten e ardhme planifikon që të miratohet projektligji i buxhetit me një seancë të jashtëzakonshme që rikthen deputetët në Kuvend pas një pauze të gjatë.

Projektligji i buxhetit është votuar në parim me 21 dhjetor nga koalicioni qeverisës dhe PSD’ja. /Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0