Ky është ekipi i PTK’së që po bën negociata sekrete me ekipin e Z – Mobile

Ky është ekipi i PTK’së që po bën negociata sekrete me ekipin e Z – Mobile

Një ekip i Postës e Telekomit të Kosovës në fshehtësi po negocion me Devollët, e Z-Mobile. Gazeta Express nga burime mirë të informuara ka marrë vesh se janë një listë e personave me pozita të larta në PTK që po bashkëpunojnë me Z-Mobile, sidomos në krizën e fundit e në diskutime për mundësinë e vazhdimit të kontratës. Të gjithë këta janë njerëz të PDK-së, e AAK-së.

Kriza e fundit me kërcënimet që ka dhënë Devolli për borxhin e arbitrazhit, ka mobilizuar një ekip sekret të PTK-së, që në këtë mënyrë kanë filluar negociatat e fshehta me udhëheqësit e Z-Mobile.

Përveç zgjidhjeve që institucionet po mundohen të gjejnë, disa persona, të afërt me pushtetin, PDK, e AAK-në që janë zyrtarë në Telekom, po japin premtime për një gjetje për dalje nga kriza, e edhe për vazhdim të kontratës që përfundon në fund të korrikut.

Gazeta Express nga burime mirë të informuara ka marrë vesh se në këto negociata sekrete janë të përfshirë nga Telekomi pesë persona.

Ata janë, Sebahudin Ramaxhiku – drejtor legal i TK, Arben Shabani që është njeri i afërt i presidentit Hashim Thaçi, Faton Isufi – drejtor teknik nga AAK që e ka zëvndësuar kryeshefin Bedri Istrefi në këtë pozitë.

Të përfshirë janë edhe Armend Osaj, drejtor financiar e Trim Musliu që janë të afërt me AAK’në.

Kaq persona sa ka angazhuar Telekomi janë të përfshirë edhe nga ana e Devollëve.

Gazeta Express mëson se në këto negociata sekrete është përfshirë edhe Ernet Jusufi, punonjës i vjetër në kompanitë e Devollëve, Virtyt Ibrahimaga e Valon Basha, avokatë të Devollëve.

Po ashtu, të përfshirë janë edhe Shpresa Mustafa, shefja e auditimit të Devollëve që ka punuar për Grant Thorton, kur ky i fundit kishte qenë auditor i jashtëm në PTK.

Atëherë, kur edhe kishte filluar arbitrazhi, Nuredin Krasniqi kishte qenë UD, i bordit e drejtor financiar në PTK.

Fatos Shema është gjithashtu i përfshirë në bisedime sekrete. Ai kishte qenë ish-drejtor tenik në PTK-Vala, e me konflikt interesi ka kaluar në Z-Mobile.

Z-Mobile në muajin prill përmes një letre dërguar për kryeshefin e Telekomit, Bedri Istrefit i dhanë ultimatum vetëm dy javë kompanisë që të kryejë borxhin prej 26 milionë e 900 mijë euro, për të cilin kishte vendosur edhe Arbitrazhi.

Kjo u tha se u shty për në qershor të këtij viti, derisa të gjendet një zgjidhje për dalje nga kriza e një mënyrë për larje të borxhit. Qeveria e Kosovës ka premtuar se do të punojnë për gjetjen e kësaj zgjidhje.

Bisedimet e fshehta që po mbahen dyshohet se janë edhe premtime për njerëzit e PTK-së, të gjithë këta të afërt me pushtetin që kontrata e cila ka datën e skandencës në fund të korrikut në mes të PTK-së e Z-Mobile të vazhdohet edhe për disa vite të tjera./GazetaExpress

COMMENTS

WORDPRESS: 0