Ky është arsyetimi i gjykatës për lirimin e tre ish-drejtuesve të Telekomit nga akuzat lidhur me kontratën me Z-Mobile

Ky është arsyetimi i gjykatës për lirimin e tre ish-drejtuesve të Telekomit nga akuzat lidhur me kontratën me Z-Mobile

Mungesa e provave të besueshme, ka qenë arsyeja që ka bërë që trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Lutfi Shala, t’i liroi nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, tre ish-drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), tash Telekomi i Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në rastin ku ata akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi Prokuroria Speciale, pretendonte se i kishin shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pas procedimit të provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve dhe vlerësimit të tyre një nga një dhe duke i ndërlidhur reciprokisht njëra me tjetrën në kuptim të nenit 361 par. I dhe 2 të KPPRK-së, ky trup gjykues nuk gjeti se të akuzuarit të kenë kryer veprën penale për të cilën i ngarkon akuza”, thuhet në një pjesë të arsyetimit të këtij aktgjykimi.

Gjykatësi Shala, me arsyetimin e tij ka vlerësuar se trupi gjykues i drejtuar nga ai, ka gjetur se janë të pabazuara të gjitha provat me të cilat prokuroria pretendon me aktakuzën e saj se tre të akuzuarit në periudhën kohore prej shkurt 2012, e deri në shkurt të vitit 2015, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm të dëmtuarës “Z-Mobile”, duke mos zbatuar kontratën me numër 01-156/09, të datës 16 janar 2009.

Sipas Shalës, gjykata ka gjetur se të gjitha provat e propozuara nga PSRK-ja, si dëshmitar, e po ashtu edhe provat tjera materiale vetëm kanë konstatuar ekzistimin e një marrëdhënieje kontraktuale juridiko-civile dhe asgjë më shumë.

Sipas gjykatës, prokuroria ka propozuar si provë këtë kontratë të lidhur në mes PTK-së dhe Z-Mobile, të datës 16 janar 2009, me të cilën vërtetohet se ndërmjet tyre është lidhur një marrëdhënie juridiko-civile.

“Gjykata analizoi të gjitha provat personale të administruara në shqyrtimin gjyqësor, dhe duke i ndërlidhur edhe me provat materiale gjykata vlerëson se të gjithë këta dëshmitar vetëm se konfirmojnë një raport juridiko civil nëmes palëve dhe asgjë më shumë, për më tepër të gjitha këto prova të ofruara nga Prokurori Special, dhe të administruara në shqyrtimin gjyqësor ofrojn një dëshmi të plot se kontesti mes palëve kontraktuese lidhur me mosrealizimin e kontratës, ka filluar shumë më par dhe ende vazhdon në procedurat tjera si Procedurë Administrative (prove: Padia me nr, 01-1090-4/13,) e cila padi nuk kemi prova se deri më tani të ketë marr epilog përfundimitar pasi që gjykata administrative me vendim ka vendosur vetëm lidhur me masën e përkohshme, (provë: Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë)”, thuhet në një pjesë tjetër të arsyetimit të aktgjykimit.

Aty thuhet se trupi gjykues ka vlerësuar se të gjitha proceset gjyqësore të cilat janë zhvilluar pas paraqitjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve nuk mund të konsiderohen si veprime inkriminuese të të akuzuarve, siç ka pretenduar prokuroria me aktakuzën e saj, por sipas trupit gjykues, këto veprime janë vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet kontraktuale.

Më tej, në arsyetimin e gjykatës thuhet se pasi palët me kontratën e tyre janë pajtuar që mosmarrëveshjet që mund të lindin në mes tyre, nëse nuk do të kishte pajtueshmëri, zgjidhjen e tyre do ta kërkonin qoftë përmes gjykatave vendore ashtu edhe përmes Arbitrazhit Ndërkombëtar, e cila edhe ka ndodhur për shkak se palët kanë pasur interpretime të ndryshme rreth obligimit të pretenduar të Z-Mobile se PTK-ja, nuk e ka pajisur atë me sistemin 3G dhe 4G, por sipas trupit gjykues, kjo nuk do të mund të konsiderohet si keqpërdorim i pozitës zyrtare.

“Gjykata duke analizuar situatën e tillë kur bashke kontraktuesit kanë parashikuar që në rast
mosmarrëveshje lidhur me kuptimin dhe sferën e dispozitave kontraktuese t’i drejtohen gjykatës kompetente në vendin tone, apo Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar. Një veprim i till i cili ka qen i kontraktuar e mbi bazën e të cilit palët kanë ndjekur procedurën në gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, për gjykatën nuk paraqet asnjë element të veprës penale Keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga neni 422 1 KPRK-së, përkundrazi këto veprime janë marr në harmoni me kushtet e parapara në kontratë, për zgjidhjen e kontestit mes palëve kontraktuese, në një raport juridiko-civil (prove Vendimi i GJNA, me nr. 20990/MHMl I dt:09.12.2016)”, thuhet në arsyetimin e gjykatësit Shala.

Edhe pse gjykata vlerëson se nga kjo kontratë e lidhur në mes palëve ka mundur t’i shkaktohet dëm PTK-së, me asnjë provë nuk është vërtetuar se për këto dëme janë fajtorë të akuzuarit, pasi kanë munguar elementet e dashjes dhe përfitimit.

“Trupi gjykues ka vlerësuar se në rastin konkret, mund të jetë shkaktuar demi lidhur me mos zbatimin e kontratës, mirëpo assesi nuk është vërtetuar se demi është shkaktuar me dashjen e të pandehurve. Kjo së paku nuk është arrit të vërtetohet me provat që ka prezantuar prokuroria si organ i ndjekjes që obligohet që ti provojë para gjykatës pretendimet e prezantuara ne aktakuzë”, është thënë në arsyetimin e gjykatës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt.

Sipas këtij aktvendimi, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës ndaj tyre ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.

COMMENTS

WORDPRESS: 0