Kush do t’i fitojë zgjedhjet, sipas analistit Behlul Beqaj?

Kush do t’i fitojë zgjedhjet, sipas analistit Behlul Beqaj?

Analisti politik, Belul Beqaj, ka vlerësuar situatën politike në vend dhe ka parashikuar zhvillimet e mundshme në skenën politike.

Sipas tij, Kosova është në një udhëkryq të madh.

“Kosova është në udhëkryq. Rreziku se do t’i përjetojmë sërish veprimet që e kanë sjellë Kosovën në udhëkryq janë më të mundshme sesa dalja në rrugë të alternativës premtuese. Skena politike, pak a shumë, mbetet e njëjtë, ndryshime reformuese zgjedhore dhe kushtetuese nuk ka, ndërsa Gjykata Speciale nuk e ka ndarë “shapin prej sheqerit”, kështu që mund të votohen edhe të dyshuarit potencialë për krime të luftës”, ka thënë Beqaj.

Madje, sipas tij, do të ishte zgjidhje e kobshme për Kosovën nëse qytetarët nga taktizimi i mëtejmë i Gjykatës Speciale, apo nga mosinformimi t’i zgjedhin të dyshuarit potencialë për krime të luftës.

Sa u përket fituesve potencialë të zgjedhjeve, Beqaj mendon se do të fitojnë ata që kanë fituar deri më sot.

Pos kësaj ai thotë skena politike është e njëjtë, nuk ka as reformë zgjedhore as kushtetuese. Prandaj është skeptik se do të ndryshojë diçka në këto zgjedhje.

Ai thotë se nga të gjitha partitë vetëm Vetëvendosje nuk ka qenë në pushtetin qendror.

“Fituesit e deritanishëm, mjerisht, do të fitojnë zgjedhjet sërish pikërisht për këtë jam për rotacion politik dhe fazë kalimtare ku do të ndërmerreshin ndryshimet zgjedhore dhe kushtetuese dhe zbatoheshin disa marrëveshje nga dialogu” ka vlerësuar ai më tutje.

Ai ka shtuar se zgjedhjet bëhen për të ndryshuar gjendjen, ndërsa nga të gjitha partitë relevenate vetëm Vetëvendosje! nuk ka qenë, deri sot, në pushtet qendror, prandaj, ka thënë ai, zgjedhjet do të kenë epilog të ngjashëm me të gjitha zgjedhjet që e kanë sjell Kosovën buzë greminës.

Në lidhje me koalicionin e mundshëm LDK-VV, Beqaj ka thënë se ai mund të ndodhë, por Albin Kurti duhet të vendos standarde jo të vendos për koalicin pa standarde.

“Më shumë se koalicioni eventual fitues më intereson ndërrimi i politikëbërjes. Realisht Kosovës i nevojitet një rotacion politik. Koalicioni i mundshëm mund të jetë LDK-VV, që rotacionin e bënë gjysmak. Unë e kuptoj gjendjen reale, por prej kryetarit të VV-së kam pritur të kuptoj nevojën reale imediale me efekte afatgjate dhe të qëndrueshme. Prandaj kam pritur zgjuarsi për konsolidim të mëtejmë organizativ, kadrovik dhe vizion të qartë pushtetbërës e jo të sprintojë pas partive kleptokratike të cilat e kanë degraduar Kosovën!”, ka thënë ai.

Beqaj ka pohuar se Vetëvendosje, është më mirë të vendosë standarde se të jetë pjesë e koalicionit të pushtetit pa standarde.

“Nëse Albin Kurti ka deklaruar se deri sa të është Isa Mustafa kryetar i LDK-së, nuk do të bëjë koalicion me LDK-në, atëherë çfarë dallimi ka mes Isës dhe Albinit?!”, ka thënë më tutje Beqaj.

Analisti Beqaj mendon se qeveria teknike, pa shkuar në zgjedhje, nuk është në interes të Presidentit dhe të PDK-së.

“Qeveria teknike, nuk është në funksion të Presidentit as PDK-së, përkundrazi më shumë do të pësojnë ata për shkak se janë në mesin e protagonistëve kryesorë të Gjykatës Speciale”.

Për fund, Beqaj nuk pret ndryshime dhe rotacion të pushtetit. Arsye për këtë, sipas tij, është se të gjithë po vrapojnë pas pushtetit pa i bërë ndryshimet e brendshme demokartike të cilat shtetin e Kosovës e kanë degraduar seriozisht.

COMMENTS

WORDPRESS: 0