Kurti: Shteti duhet të angazhohet për t’i çrrënjosur nga shoqëria përbuzjen e dhunën ndaj grave

Kurti: Shteti duhet të angazhohet për t’i çrrënjosur nga shoqëria përbuzjen e dhunën ndaj grave

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e Armenda Aliut nga bashkëshorti i saj, sot në Prizren.

Kurti thotë se shteti duhet të angazhohet për t’i çrrënjosur nga shoqëria përbuzjen e dhunën ndaj grave.

“Edhe një grua e vrarë. Edhe njëherë nga burri i saj. Sërish mekanizma shtetërorë disi pasivë. Kësaj radhe në Prizren. Ndryshon vendi në Kosovën që nuk po ndryshon. Rast i dhimbshëm sa s’ka, i padurueshëm, por, jo edhe i rastësishëm. Përsëritja e rasteve të këtilla tregon se kemi të bëjmë me një dukuri, e jo një rastësi”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Sipas tij krimi është armik i shoqërisë dhe i zhvillimit.

“Shoqëria jonë duhet t’i thotë vendosmërisht jo dhunës ndaj grave, e jo t’i qaset asaj me pasivitet apo ambiguitet, siç kanë bërë shpesh organet e shtetit. Krimi është armik i shoqërisë e i zhvillimit. E institucionet duhet të ballafaqohen me krimin, për ta parandaluar apo për të vënë drejtësi”, ka shkruar ai.

Tutje, kreu i Vetëvendosjes thotë se institucionet shpesh kanë qasje të padrejtë ndaj grave, që janë viktima të krimit.

“Është për të ardhur keq, por shpesh shohim se institucionet tona kanë qasje të padrejtë, sidomos kur viktimat e krimit janë gratë. Nënvlerësimi i gruas, apo përbuzja, urrejtja e dhuna ndaj saj janë të papranueshme. Shteti duhet të angazhohet për t’i çrrënjosur ato nga shoqëria, e në asnjë mënyrë nuk bën t’i lejojë të zënë vend në institucione”, ka shkruar Kurti. “Shpreh dhimbjen, solidaritetin dhe mbështetjen e Lëvizjes me të gjitha gratë viktima të diskriminimit, padrejtësive e krimit. Duhet të angazhohemi të gjithë që kjo gjë të ndryshojë. Urgjentisht!”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: