Kurti: S’do të ketë asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe pa dikë të punësuar

Kurti: S’do të ketë asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe pa dikë të punësuar

Mbrojtje dhe barazi sociale, asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa dikë të punësuar, ky ishte premtimi i kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti në tubimin e sotëm me qytetarë të Malishevës.

Gjatë shpalosjes së programit qeverisës në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore, Kurti tha se në mandatin e tij katërvjeçar do të paguhen shtesat për fëmijë dhe do të hiqen tatimet për të ardhurat deri në 300 euro.

Po ashtu Kurti premtoj se nga granti i katërt për komunat, Malisheva do të ketë investime në infrastrukturë publike, për ujësjellës, ujëra të zeza dhe bujqësi.

“Malisheva do të përfitojë nga granti i katërt për komunat, në vlerë të gjithmbarshme prej 600 milionë euro për mandatin tonë të parë katërvjeçar për investime në infrastrukturë publike, që rregullojnë lumin Mirusha, rrugët dhe parqet, kanalizimin dhe ujësjellësin, trotuaret dhe ndriçimin. As nuk do të tolerojmë ujërat e zeza të bëhen ujëvarë, e as ujëvara e Mirushës të ketë ujëra të zeza. Erdhi dita për komunën e Malishevën e pastër, e pa ndotje”, tha Kurti.

Kandidatja e VV-së për deputete, Albulena Haxhiu, u shpreh e bindur se më 6 tetor, kjo parti do të dalë fituese, pasi Vetëvendosje nuk e ka tradhtuar dhe mashtruar asnjëherë popullin.

“Tubimet tona kudo që po shkojmë, janë dëshmia e fitores tonë të madhe. Janë dëshmia që më 6 tetor do të lindë dielli i shpresës dhe i ndryshimit në Kosovë. Janë disa arsye pse fitorja e Lëvizjes, sepse ne, Vetëvendosja, nuk e kemi tradhtuar dhe nuk e kemi mashtruar asnjëherë popullin e Kosovës”, theksoi Haxhiu.

Kandidati për deputet nga Malisheva, Gani Krasniqi, theksoi se më 6 tetor do të fitojë bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, programi i saj, si dhe do të rikthehet shpresa me një projekti politik të udhëhequr nga Albin Kurti.

“Ju i dini tri shtyllat kryesore për ta bërë Kosovën Republikë të vërtetë. Na duhet shteti i së drejtës për popullin dhe ligji për hajnat, si dhe shteti i zhvillimit ekonomik e intelektual. Po ashtu, shteti i barazisë shoqërore”, theksoi Krasniqi, raporton KP.

Po ashtu, edhe kandidatë të tjerë të kësaj partie janë zotuar se me besimin e qytetarëve do të angazhohen për përmirësimin e gjendjes së qytetarëve në vend, për arsim, bujqësi dhe shëndetësi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: