Kurti: Po shtiren se po e mbrojnë Kosovën teksa po mbulojnë skandalet e fajdeve e hajnisë

Kurti: Po shtiren se po e mbrojnë Kosovën teksa po mbulojnë skandalet e fajdeve e hajnisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndonëse e ka vlerësuar të duhur aksionin e sotëm në veri të Kosovës, e ka vlerësuar si jo të sigurt kur në krye të këtij aksioni janë prokurori Sylë Hoxha e presidenti Hashim Thaçi, të dy siç i quan Kurti, famëkeq, e me krahun e djathtë të tij Kadri Veselin dhe të majtin Ramush Haradinaj.

Kurti thotë se aksioni i tillë është i nevojshëm, porse korrupsioni në këtë pjesë ka ndodhur qysh moti.

“Tensionimi i kontrolluar. Këta që krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë e institucionalizuan duke e ushqyer përditë për dy dekada nga zyrat e tyre, duan ta luftojnë me aksione në terren një herë në vit. Krimi dhe kontrabanda në veri të vendit nuk ndodhën papritur – ato kanë vazhduar për aq sa ka vazhduar edhe zhvatja e hajnia në pjesën tjetër të vendit. Sigurisht që policia e ka mundësinë dhe aftësinë, drejtësia e ka detyrën dhe nevojën, kurse populli ynë e ka dëshirën dhe interesin për luftimin e krimit e të korrupsionit. Mirëpo, nuk mund të jemi të sigurt se për çka bëhet fjalë, kur në krye të një aksioni kundër krimit e korrupsionit ndodhet prokurori famëkeq Sylë Hoxha dhe presidenti aktual po ashtu famëkeq (me krahun e tij të djathtë, kryetarin e Kuvendit, dhe, krahun e tij të majtë, kryeministrin e vendit)”, ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, këta po shtiren se po e mbrojnë Kosovën teksa po e vjedhin atë dhe duan t’i mbulojnë skandalet e fajdeve të tyre në paqe e të fotografive të tyre për luftë.

“Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, shtiret se do ta sulmojë Kosovën, gjersa synon ta përforcojë pushtetin e tij. Serbisë i konvenon ky regjim i korruptuar në Kosovë dhe nuk i konvenon konflikti me KFOR-in. Prandaj, ky sot ishte veçse edhe një tensionim i kontrolluar për të mbuluar skandalet e regjimit”, ka shkruar Kurti.

Kurti thotë se asnjë nga top 20 zyrtarët e korruptuar në vendin tonë “nuk besoj të jenë arrestuar sot”.

“Çerdhja e korrupsionit dhe krimit në Kosovë, është te prokurimi dhe liçensat e shtetit, te prokuroria dhe gjyqësia e shtetit, te presidenti i shtetit. Korrupsioni dhe krimi duhen luftuar çdo ditë, por më mirë është t’i ndalojmë e parandalojmë duke i hequr këta që i kultivojnë dhe i shtojnë ato secilën ditë”, përfundon Kurti.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0