Pazaret sekrete të Thaçit me Vuçiqin – Albin Kurti analizon letrën që presidenti ia dërgoi Trumpit

Pazaret sekrete të Thaçit me Vuçiqin – Albin Kurti analizon letrën që presidenti ia dërgoi Trumpit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar letrën e presidentit Hashim Thaçi dërguar presidentit amerikan Donald Trump, ku ndër tjerash, thotë se “është i përkushtuar të arrihet marrëveshje paqësore me Serbinë”. Megjithatë, Kurti kujton se Trumpi s’i ka kthyer asnjë përgjigje.

Këtu ka kujtuar se sot janë bërë gjashtë muaj kur Thaçi i kishte shkruar Trumpit e ku po ashtu ishte zotuar për marrëveshje me Serbinë.

“Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani.” (8 janar 2019)”, ka shkruar Kurti.

Kurti, kujton se gjashtë muaj u bënë sot nga letra që ia dërgoi Presidentit Trump.

“Mirëpo Thaçi nuk mori përgjigje (paçka se aty shprehte edhe gatishmëri edhe vullnet për kompromiset e nevojshme). Si na paska qenë afër marrëveshja që zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë?! Pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë? Çka qenka kjo gati-marrëveshje që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura për dallim nga 33 marrëveshjet e dialogut paraprak gjashtëvjeçar? Pazar sekret, sigurisht. Mirëpo, edhe projekt i dështuar, gjithsesi. Nga protesta më e madhe e Kosovës së pasluftës “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” (mbajtur më 29 shtator 2018) e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese që diskreditoi qeverinë, presidentin dhe ekipin e tyre rezervë për dialog (publikuar më 27 qershor 2019), të gjithë akrobatët e morën përgjigjen e merituar”, ka përfunduar Kurti.

COMMENTS

WORDPRESS: 0