Kurti-Mustafa u rikthehen takimeve

Kurti-Mustafa u rikthehen takimeve

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do t’iu rikthehen takimeve këtë të premte në nivel të kryetarëve. Pretendenti për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se do të takohet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për të diskutuar çështjet e mbetura rreth programit qeverisës dhe ndarjes së posteve.

“Ne duhet të ecim me shpejtësi drejt formimit të Qeverisë, sepse do të bëhet certifikimi i rezultateve. Unë besoj se duhet të diskutojmë dhe besoj se është mirë që t’i diskutojmë të gjitha çështjet, sepse në fillim të javës së ardhshme do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe është mirë që të mos humbim kohë. Pra, nuk është e thënë që t’i mbyllim temat, por mendoj që është koha t’i hapim ato”, ka thënë Kurti të enjten, shkruan sot “Koha Ditore”.

I pyetur nëse postin e kryeministrit LDK-ja e ka vënë në baraspeshë me shtatë ministri, Kurti ka shtuar se, “diçka e tillë nuk qëndron”. Lideri i VV-së, që më pas ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të sindikatave, ka paralajmëruar që në takim me Mustafën do të diskutohet edhe për postin e presidentit. LDK-ja deri tani ka insistuar që pjesë e ndarjes së kulaçit të jetë edhe posti i shefit të shtetit. Madje Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që ai të jetë kandidati për president.

“Ne do të diskutojmë me Mustafën për postin e presidentit, por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta dhe ato karrige të zbrazëta janë të kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit. Unë besoj se kjo është detyra më urgjente që kemi”, ka theksuar Kurti.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: